Aktualitet

Veliaj: Tirana bëhet bashkia e parë që krijon rezervat e qytetit për përballimin e situatave të emergjencës.

Tirana bëhet bashkia e parë që krijon rezervat e qytetit për përballimin e situatave të emergjencës. Bashkia e Tiranës ka ngritur Magazinën e Emergjencave të qytetit, me një fond të veçantë ushqimesh dhe veshmbathjesh, të cilat do të shërbejnë për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë në raste emergjencash.

“Tirana është gjithmonë një hap përpara; po mendojmë për ditët e ftohta dhe me shi, kur mund të kemi emergjenca civile. Këto janë të pashmangshme dhe pavarësisht histerisë, as kryetari i Bashkisë, as Kryeministri apo kushdo tjetër nuk mundet ta ndalojë shiun apo të rregullojë infrastrukturën e keqndërtuar ndër vite, që janë kryesisht ndërtime pa leje buzë lumenjve apo në hapësira të tjera publike. Por, ajo që mund të bëjmë është që kur të vijë dita e keqe, të na gjejë të përgatitur”, tha Veliaj, duke shtuar se tashmë qyteti mund të përballojë 200-300 raste problematike në raste emergjencash.

Ai u bëri thirrje të gjitha bizneseve apo shoqatave të ndryshme që të kontribuojnë me aq sa munden për ta përgatitur qytetin akoma më mirë, por edhe për ta bërë Tiranën një qytet më solidar e më social. “Nuk mjafton të jesh biznes i suksesshëm, nëse këtë sukses nuk e ndan, sidomos në ditën e nevojës, me ata që janë në situatë të vështirë. I falenderoj me zemër për bujarinë e tyre dhe për faktin që rezervat e qytetit të Tiranës janë gjithmonë plot. Teksa përballojmë nevoja të ndryshme, gjithmonë ri-furnizohemi për t’u siguruar që dita e nevojës na gjen në gatishmëri të plotë”, tha ai.

Teksa vlerësoi punën e mirë që u bë gjatë dimrit që shkoi për menaxhimin e situatave të emergjencave civile, ku 200 qytetarë në situatë rruge gjetën një strehë të ngrohtë dhe ushqim pranë qendrave sociale të bashkisë, Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që të ndihmojnë këdo që është në vështirësi. “Dua t’i ftoj qytetarët që ndihma dhe dhënia e dorës nuk është monopol i bashkisë dhe i qeverisë. Në fakt, është një solidaritet qytetar që duhet ta kemi të gjithë. Ndaj u bëj thirrje të gjithëve, pavarësisht që bashkia merr masat në situata të tilla, secili ka mundësi që një fqinj, një të afërm, një koleg ta ndihmojë në raste të nevojës, pa pritur që detyrimisht shteti të jetë aty si një dado që kujdeset për gjithçka”, shtoi ai.

Paralelisht me përgatitjet për situatat emergjente që mund të krijohen si pasojë e reshjeve të shiut apo temperaturave të ulëta, Bashkia e Tiranës ka nisur punën edhe për parandalimin e përmbytjeve në zonat pranë lumenjve. Kreu i Bashkisë nënvizoi se ndërmarrjet janë duke pastruar nga inertet kanalet dhe lumenjtë, ndërsa paralajmëroi vijimin e aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje që janë ndërtuar mbi kolektorë. “Përveç përgatitjes për emergjencat, të gjithë e kanë vënë re se gjatë verës kemi bërë punë në infrastrukturë, duke pastruar lumin e Lanës, kemi hequr qindra ton inerte, kemi pastruar kanalet e ujërave të zeza në pritje të shirave, te Lumi i Tiranës kemi bërë prishjet e fundit për të mbyllur barrierat e për t’u siguruar që në shirat e ardhshëm të mos kemi ujë që futet nëpër lagje. Do të vazhdojmë me prishjet e ndërtimeve pa leje, sidomos mbi kolektorë, për të dhënë edhe një mesazh që tahfmaja e një njeriu nuk mund të kthehet në fatkeqësi për 1 milionë të tjerë”, theksoi Veliaj.

Veliaj shprehu besimin se nën shembullin e Bashkisë së Tiranës, shumë njësi të tjera në bashkëpunim edhe me bizneset, do të ngrenë rezervat e tyre, duke krijuar një fond të posaçëm për përballimin e situatave të vështira që mund të vijnë. “Për gjënë më të vogël themi ku është shteti, ku është qeveria. Sigurisht shteti, qeveria, ushtria janë aty, por jo për çdo thes miell, jo për çdo dyshek, jo për çdo paketë higjieno-sanitare. Besoj se duke dhënë shembullin të parët, si bashkia e parë nga 61 që stabilizon emergjencat civile të qytetit për të përballuar nevojën për ndihmë të disa qindra qytetarëve, besoj se shumë bashki të tjera mund ta bëjnë këtë, si një masë paraprake përpara se të shkojmë tek emergjencat civile shtetërore, përpara se të shkojmë tek ushtria dhe tek qeveria”, nënvizoi Veliaj.

Magazina e Emergjencave të Tiranës do të shërbejë si rezerva e qytetit për të përballuar emergjenca të tjera në të ardhmen, por edhe si një vend ku mund të ruhen donacionet e shumta që ofrojnë shumë qytetarë apo biznese e organizata, të cilat do t’u shpërndahen më pas qytetarëve sipas nevojave.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?