Pse hesht Erion Veliaj për mbushjen e Tiranës me kioska?
Prej tetorit të vitit 2016 në kryqëzimet e zonës qendrore të kryeqytetit nisën të vendosen kioska të reja, për të cilat ende nuk është dhënë asnjë informacion publik nga bashkia e Tiranës, drejtuar nga Erion Veliaj. Vendimi për të ngritur kioskat nuk ka kaluar në këshillin bashkiak ndaj anëtarët e djathtë e kanë paditur në gjykatë.
Kundër kioskave janë qytetarët e Tiranës, pasi janë zënë hapësirat publike, por edhe tregtarët e vegjël që tashmë kanë falimentuar.
“Bashkia na dërgoi shkresë për heqjen e kioskës. Pritëm dy ditë me ankth, ndërsa të tretën ndodhi e keqja. Në mëngjes pamë dy kioska të reja ngjitur me ne”, tha Irgen Gashi, 45-vjeçari, i cili prej 26 vitesh ka mbajtur familjen duke shitur në kisokë.
Luçie Elezi, punonjësja 50-vjeçare e një kafeneje të vogël në hyrje të rrugës së Kavajës, është në alarm të plotë. “Tani me kioskat e reja puna ka rënë shumë, lokalet dhe kioskat janë ngjitur me njëra-tjetrën. Ujin që mund ta blejnë në lokal, qytetarët e marrin në kioskën e vendosur para derës sonë”, – tha ajo për “PSE”.
Nisma e bashkisë për vendosjen e kioskave të reja përveç tregtarëve ka shqetësuar edhe qytetarët, të cilët në pjesën më të madhe i shohin ato të padobishme dhe zaptuese të atyre pak hapësirave publike në Tiranë.
“Kam 20 vite që e blej gazetën në këtë kioskën këtu te Libri Universitar, para një muaji janë vendosur dy kioska të reja, shesin edhe gazeta. Unë nuk e kuptoj, pse na e zënë trotuarin me kioska që ofrojnë të njëjtat gjëra”, – tha një pensionist 60-vjeçar.
***
Gjithçka nisi në muajin tetor të vitit të kaluar, kur në kryqëzimet kryesore të Tiranës u panë të vendosura kioska të reja, ndërkohë asnjë njoftim publik nuk ishte bërë nga bashkia për të argumentuar nevojën e tyre dhe përfitimin e qytetarëve nga kjo iniciativë.
Sot, kur kanë kaluar shtatë muaj dhe rreth 100 kioska të reja janë vendosur në zonën qendrore të Tiranës, bashkia nuk jep asnjë informacion, përsa i përket pasjes ose jo të një studimi për nevojën e tyre në kryeqytet.
Po kështu, Bashkia e Tiranës nuk bën publik asnjë plan, përsa i përket numrit të kioskave që do të vendosen në kryeqytet dhe kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në hapësirat publike.
“PSE” iu drejtua në fillimin e muajit shkurt përmes një kërkese bazuar mbi ligjin e të Drejtës së Informimit Bashkisë së Tiranës për t`i kërkuar një kopje të studimit, planit dhe kontratës për këtë vendimmarrje.
Bashkisë së Tiranës iu kërkua informacion edhe si është gjykuar ekspertiza e kompanive, të cilat kanë marrë të drejtën e vendosjes së kioskave në kryeqytet.
Bashkia nuk iu përgjigj kërkesës brenda 10 ditëve – afat i përcaktuar në ligj – dhe po kështu nuk iu përgjigj as kërkesës së komisionerit të së Drejtës së Informimit në muajin prill për ta bërë publik këtë informacion.
Vendimi jotransparent
“PSE” e pati të pamundur të marrë një argument, studim apo plan përsa i përket vendosjes së kioskave në Tiranë, pasi ia kërkoi këtë zyrës së Shtypit në Bashkinë e Tiranës, kryetarit të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, sipas kërkesës së hartuar mbi bazën e ligjit për të Drejtën e Informimit.
Informacion për kioskat nuk gjendet as në faqen zyrtare të bashkisë. Po kështu, në Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës parashikohen 13 projekte strategjike, por në asnjë pikë nuk përmendet asnjë plan për kioskat.
Por, ky informacion nuk i është përcjellë as përfaqësuesve të opozitës në këtë këshill. Kryetari i këshilltarëve bashkiakë të opozitës, Nard Olli, i tha PSE se ata tashmë i ishin drejtuar gjykatës për të ditur planin e bashkisë në lidhje me këtë vendimmarrje. Olli shtoi se nuk kanë asnjë informacion për projektin e kioskave të reja, numrin apo qëllimin e vendosjes së tyre.
Ai tregon se vendimi nuk ka kaluar kurrë në Këshillin Bashkiak, por është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.
Pronarët e kisokave
Në xhamat e kioskave të reja në Tiranë vërehet se licencat e tyre janë nën emrat e dy kompanive, MPM Multi Parking Managment dhe K/E Shop.
Në regjistrin kombëtar të kompanive, MPM Multi Parking Managment rezulton e themeluar në vitin 2015 me aktivitet menaxhim parkimi, gomisteri, lavazh, aktivitet i shitjes me pakicë, dhënie me qira dhe shitje e pasurive të paluajtshme me administrator, Dariel Duka. Ndërkaq, në regjistrin kombëtar, K/E Shop është një kompani, e cila është themeluar në shkurt të vitit 2017 me administrator Ervin Zenelin. Asnjërin prej tyre nuk pranuar të flasin për aktivitetin e tyre tregtarë në Tiranë.
*Përgatitën Klaudja Karabolli, Fatjon Baze. Shkrimi është pjesë e projektit të ambasadës amerikane me studentët e gazetarisë “Pse2017”