Nga Vehap Kola: Po, Feja mund të jetë politikë
Po! Feja mund të jetë politikë
nga Vehap Kola
Kur një imam lëxoi disa vargje nga Kurani në një veprimtari të rastit gjatë ditëve të inaugurimit të Presidentit Donald Trump, klerikët muslimanë të ShBA-së e kritikuan njëzëri, jo sepse ishte e gabuar që Presidenti i ri të dëgjonte fjalën e Zotit, por sepse kjo po shfrytëzohej nga Trump dhe ekipi i tij i tranzicionit si mjet legjitimues, përkundër diskurit të hapur dhe të ashpër islamofob që vetë Presidenti dhe pjesa më e madhe e stafit të tij kishin përdorur vazhdimisht. Shqetësimi i klerikëve muslimanë të Amerikës lidhej me mundësinë që prania e një imami që lexon Kuranin në një ceremoni në kuadër të inaugurimit të atij që muslimanët atje e konsiderojnë si Presidenti më islamofob i historisë, të keqkuptohej nga besimtarët si mungesë e kuadrit parimor të fesë. Domethënë, feja mund të përshtatet dhe bashkëjetojë me padrejtësinë, sepse ajo shqetësohet vetëm me fatin e përjetshëm të njeriut, fat i cili kalon përmes korrektësisë së doktrinës, rregullsisë së ritualit dhe bamirësisë. Mesazhi që ky gjest u jepte muslimanëve të rinj ishte se mund të jesh musliman edhe duke pranuar e mbështetur padrejtësinë.
Një episod i ngjashëm ndodhi edhe me një klerik tjetër musliman me influencë, kur ai mori pjesë në aktivitete të ushtrisë egjiptiane dhe ku u lut për diktatorin Sisi, si të lutej për një qeveritar të drejtë. Gjatë luftës së dytë botërore, myftiu i Jeruzalemit u takua me Hitlerin, duke parë tek ai një opsion për të ndalur planet britanike për shpopullimin e Palestinës dhe kolonizimin e tokave të saj me kolonë hebrenj. Mesazhi që merrte besimtari i thjeshtë nga ky qëndrim është i rrezikshëm: feja islame është një konformuese besnike e pushteteve politike, pavarësisht natyrës gjakatare dhe kriminale të tyre. Feja, e parë në këtë hije, ashtu sikundër politika, nuk është e shqetësuar aspak për natyrën joetike e rrugëve përmes të cilave synon të arrijë qëllimet e parashkruara.
Me zgjedhjet e fundit parlamentare doli në pah një dukuri lebetitëse në shoqërinë shqiptare: dhjetëra kriminelë dhe njerëz me të shkuar të dyshimtë arritën të sigurojnë një vend në parlament. Ky fenomen kompromentues u thellua edhe më tej në zgjedhjet lokale që rikonfirmuan ose sollën në zyrat e bashkive edhe qindra të dënuar për vrasje, trafikim qeniesh njerëzore, narkotrafik e krime të tjera të rënda. Fakti që pjesa dërrmuese e tyre vinte nga njëri krah i politikës dhe në mënyrë të përsëritur, është dëshmi se kjo ishte tashmë politikë zyrtare e atij krahu. Pushteti do të merrej përmes të fortëve dhe me ta do të mbahej. Kryeministri Rama nisi të fliste për një periudhë të gjatë qeverisjeje të garantuar tashmë dhe për opozitë inekzistente, që së shpejti do të shndërrohej në shoqatë. Vendi u pushtua nga plantacionet e kanabisit dhe bandat e armatosura morën nën kontroll pyjet dhe bjeshkët anekënd vendit, falë edhe moratoriumit të pyjeve dhe gjuetisë, çuditërisht të njëkohshëm edhe me hashashizimin e territorit.
Ndaj gjithë këtij kriminalizimi të politikës, kapjes së institucioneve nga mafia, drogimit të territorit dhe mbarë shoqërisë, klerikët muslimanë nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim. Nuk ka asnjë deklaratë të Komunitetit Musliman të Shqipërisë, asnjë predikim të imamëve nëpër xhami, apo qëndrim publik gjatë daljeve të tyre të shpeshta në media, ku të dënohej rënia e vendit në duart e mafias. Me të drejtë analisti Fatos Lubonja ka pyetur më shumë se një herë se cili është roli i feve në Shqipëri nëse ato nuk avancojnë moralitetin dhe drejtësinë, nëse nuk dënojnë banditizimin e shoqërisë dhe drogimin e territorit. Duke e mirëkuptuar përpjekjen e Lubonjës për të mos etiketuar një komunitet të caktuar fetar, duhet të jemi të drejtë me veten dhe të pranojmë se Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse kanë mbajtur qëndrime publike ndaj kriminalizimit të jetës në vend. Përkundër kësaj praktike të shkëlqyer, drejtuesit e Komunitetit Musliman Shqiptar në predikimin e Bajramit, në mënyrë krejt të turpshme, celebronin ardhjen e pritshme të një realiteti të ri në kuadër të reformës së njëanshme kushtetuese. Sigurisht, ky ishte një trumbetim i diskurit të Edi Ramës dhe grupit të ngushtë rreth tij në Partinë Socialiste, që njihen me etiketimin Rilindja.
Defiçitarë moralë për shkak të heshtjes së plotë ndaj kriminalizimit të jetës politike e shoqërore, klerikët muslimanë, për arsye që vetëm ata mund t’i shpjegojnë, u bënë instrumenta partiakë në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2015 dhe vazhdojnë në të njëjtën traditë të keqe t’u shërbejnë qëllimeve elektorale të Edi Ramës, Erion Velisë apo Taulant Ballës në këtë parafushatë, në këtë klimë të tendosur politike dhe sociale ku gjendet vendi. Ata që nuk gjetën kurajë të dalin kundër drogimit të territorit dhe shoqërisë, kundër banditizimit të Parlamentit dhe Qeverisë, të mbrojnë liritë dhe drejtësinë përballë zullumit të një supermazhorance të çartur, janë sot të rreshtuar në mënyrë të turpshme në rreshtin më të gabuar të mundshëm.
Me këtë qëndrim tërësisht pragmatist dhe amoral, ata po u thonë muslimanëve se, po, feja është politikë. Se mund të mos shqëtësohesh për kriminalizimin e jetës dhe për shtypjen e të pambrojturve, e njëkohësisht të ndjekësh përfitime të vogla dhe të ngushta, si ndërtimi i një xhamie, legalizimi i një tjetre, hapja e një biznesi personal, të fituarit e një tenderi, etj. Mesazhi që muslimanët shqiptarë marrin nga kjo perspektivë është se cdo gjë është relative, se mund të jesh musliman edhe duke bërë kompromis me bandat, edhe duke ndihmuar zullumqarin, edhe duke injoruar fukarain e shtypur, mjafton që të realizosh një objektiv të ngushtë personal apo grupor. Se njeriu nuk duhet ta lexojë pragmatizmin e njerëezve të fesë si shenjë finale që paralajmëron ardhjen e tiranisë dhe dënimit hyjnor.
Shqiptarët që nuk falen në xhami, kuptojnë se feja qenka politikë. Se të jesh musliman nuk ka asnjë implikim moral, përveç përkatësisë pragmatike në një komunitet, që si çdo grup tjetër interesi shqetësohet vetëm për axhendën e tij të ngushtë materiale, por nuk e bren aspak në shpirt zullumi që u bëhet atyre që nuk përkojnë në grup. Për më tepër, shqiptarët e shtypur shohin se feja qenka politikë. Se njësoj si partitë politike, edhe fetë paskan synim të arrijnë qëllimet e tyre materiale, sociale e politike, e nuk paskan vërtet ndonjë brengë për uriturin, të zhveshurin, të pastrehin apo të shtypurin. Për çdo besimtar, që i ka tingëlluar gjithnjë marrëzi akuza se feja është politikë, kështu po, feja në këtë mënyrë mund të jetë politikë.