Aida Previzi Kule: Poezi.

Poezi

KAM ZGJEDHUR BUZËQESHJEN

Ka njerëz që flasin me fjalë
Ka që me heshtje flasin
Ka që flasin edhe me vete
Ka njerëz që sytë u bërtasin

Heshtja kurrë s’më ka pëlqyer
Jo gjithnjë thotë fjalë të mira
Madje shpesh fsheh të vërteta
Nga ato që janë të hidhura

Heshtja ka edhe mllefe
Që veç vetes dëm i sjellin
Preferoj të jem llafazane
Se sa shpirtin të ma çjerrin

Por më shumë nga të gjitha
Buzëqeshjen unë kam zgjedhur
Sepse aty jam unë, e vërteta
Shpirti im të qeshë ka zgjedhur

SONTE

Sonte pena s’më bindet,
konflikt interesi me mendimet,
ato shkruajnë e ajo fshin,
letra në duar po griset
tendosur nga mosprekja,
unë me padurim pres të shoh
kush do t’i shkelë limitet…!

Aida Previzi

Fotografia e Aida Previzi Kule
SHIRA YJESH

Shira yjesh
shoh të bien mbi krye
pa pushim…
nata është bërë ditë,
ç’më shohin sytë…!
Ja pse qiejt janë fikur,
vras mendjen…
në parajsë…tani
kush bën dritë…?!

Aida Previzi

Fotografia e Aida Previzi Kule

DREQIT

M’kap kajhér
inat me dreqin,
them t’a çoj n’dreq,
t’a kuptojë ç’ka domethán
prej tijna me hek keq,
por mandéj menój…
që me e bá ktá
duhet me kén dreq
për dreq,
s’jéna m’sú me bá keq…

Hej…ç’na gjet
me ty…dreq..!

Fotografia e Aida Previzi Kule

“VALENTINSAVE”

Hej…Valentinsa,
me ju sot më vjen të qesh,
siç më vjen të qaj të gjorin Valentin,
që me kohë eshtrat i janë tret’
bashkë me dashurinë
e vërtetë…

Sa për kujtesë…
kjo ditë është përkujtimorja e tij,
ashtu si bëjmë për të vdekurit
përshpirtje, një herë në vit,
ne të gjallët që mbahemi
në jetë…

Ju siguroj,
nuk do t’a gjeni Valentinin
në asnjë dyqan ku vraponi
në emër të tij dashurinë
me para shtrenjtë t’a blini,
as në shtretër të ndyrë
hotelesh ku fjetët,
më vjen keq t’ju them,
gënjeni veten,
sot dashurinë e mbajnë
gjallë…në këmbë
poetët…!

E SHTUNA

Ka diçka të veçantë e shtuna
Diçka që me durim të gjatë e kam pritur
Më çon në pistën e vallëzimit të preferuar
Ku mungojnë veç çatitë që pikojnë pikë-pikë…

E shtuna më bën të harroj
Ditët e tjera të javës
Kur ti vjen për të mos ikur…

Aida Previzi

Fotografia e Aida Previzi Kule
Total 2 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?