Spalletti gati të ndryshojë strategji, Juventus me 2 sulmues…
Juventusi po vuan në sulm në gjetjen e golit, ndaj Spalletti po shqyrton mundësinë e aktivizimit me dy sulmues, me Kolo Muanin që kërkon më shumë mbështetje në repartin ofensiv. Francezi kaloi rreth 80 minuta pa lënë gjurmë në ndeshjen kundër Cagliarit, por në fund u shfaq si një tjetër lojtar, duke shënuar gol dhe krijuar disa raste të rrezikshme.
Ndërkohë, drejtuesit bardhezinj po mendojnë për një përforcim të ri në merkaton e janarit. Objektivi është një qendërsulmues që garanton gola dhe ka aftësi të mira konkretizuese brenda zonës, për të plotësuar mangësitë e repartit ofensiv. Një model për Juventusin mund të jetë operacioni i Romës për afrimin e Malenit, një lëvizje që dëshmoi se mund të gjenden lojtarë cilësorë edhe mes atyre që kanë pak hapësira në skuadrat e tyre.
Deri në janar, Spallettit i takon të gjejë zgjidhjen e duhur për të shfrytëzuar potencialin e sulmuesve që ka në dispozicion dhe për ta rikthyer Juventusin në rrugën e rezultateve pozitive.
