AktualitetPolitike

Trafikimi i armëve, Muçollari: Rama dhe Yeffet duhet të japin llogari

KAON

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka reaguar pas publikimit të një audio-dëshmie të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke ngritur akuza për skemën e trafikut ndërkombëtar të armëve.

Muçollari thekson se në këtë çështje përmendet biznesmeni izraelit Roni Yeffet dhe se negociatat me partnerë ukrainas përfshinin edhe struktura shtetërore shqiptare.

Ai kërkon që SPAK të nisë hetim për verifikim të menjëhershëm të kësaj dëshmie, ndërsa kërkon edhe largimin urgjent nga detyra të ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Reagimi i plotë:

Trafik ndërkombëtar armësh nga Tirana, akuza e re për Edi Ramën

Edi Rama është nën një akuzë të re dhe shumë të rëndë. Sipas dëshmisë së ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, Kryeministri është përfshirë në trafik ndërkombëtar të armëve. Me audiopërgjimin që bëri publik Ahmetaj, del se miku i ngushtë i Edi Ramës, izraeliti Roni Yeffet, po e përdor Shqipërinë sipas interesave të tij, për të bërë punët e pista. Dhe ndihmësin kryesor për tregtimin dhe trafikimin e armëve kishte atë që rastësisht u bë më pas edhe Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. Kur Roni fliste me partnerët ukrainas për trafikimin e armëve që do të prodhoheshin në Afrikë, por do të paketoheshin në Tiranë, Nufi ishte ndihmës i Edi Ramës në Kryeministri. Yeffet e përmend emrin e tij në negociatat që po bën me partnerët, duke u thënë se ai do të bëjë gati letrat. Nga publikimi i djeshëm, Yeffet del se kishte çdo gjë nën kontroll në Shqipëri, kishte qeverinë në dispozicion, kishte zona, qytete, projekte. Ai paraqitej si padron i vendit.

Ermal Nufi nuk mund të qëndrojë më asnjë orë në zyrë e në detyrë, pas këtij skandali. Dorëheqja e tij sot është e vetmja gjë që mund të bënte Ministri i Mbrojtjes. Edi Rama duhet të japë llogari para qytetarëve. Si ka ndodhur trafiku ndërkombëtar i armëve nga miku i tij dhe me infrastrukturën qeveritare në dispozicion. Dhe SPAK ka detyrimin të nisë urgjentisht hetimin pas kësaj dëshmie që flet për një krim të rëndë.

Ndërsa qytetarët kanë edhe një informacion më tepër për atë se kush i ka qeverisur dhe si janë qeverisur në këto 13 vite. Një arsye më shumë për të mbushur sheshin e për të mos u larguar nga aty pa ikur përgjegjësi i këtyre aferave të rënda, që është Edi Rama.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?