AktualitetAnalize

28 Nëntori dhe përdorimi i flamurit si “mburojë” PR-i nga Policia e Shtetit

KAON

Nga Eugen Beci

Vendosja e simboleve kombëtare mbi autobotët e ujit dhe skafandrat anti-trazira gjatë protestës nuk përbën patriotizëm institucional, por një shfaqje të kalkuluar komunikimi që bie ndesh me vetë kuadrin ligjor në fuqi.

Pamjet e autobotëve të ujit dhe efektivëve me skafandra anti-trazira të veshur me flamurin kombëtar gjatë protestës së Ditës së Flamurit përbëjnë një precedent sa domethënës, aq edhe problematik për raportin mes shtetit, ligjit dhe qytetarëve. Ky gjest nuk është një shprehje e natyrshme e respektit institucional për festën kombëtare, por një shfaqje (show) e kalkuluar dhe fyese ndaj vetë simbolit më të lartë të kombit.
Kur flamuri kombëtar përdoret për të mbuluar mjetet e forcës dhe shpërndarjes së turmave përballë qytetarëve, kemi të bëjmë me një manipulim të pastër të komunikimit publik. Përtej debatit etik dhe politik, ky veprim bie ndesh drejtpërdrejt me tre shtylla konkrete të legjislacionit shqiptar dhe rregullave protokollare në fuqi:
1. Dalje jashtë standardit ligjor të Policisë së Shtetit: Rregullorja e Uniformës dhe Shenjave Dalluese (miratuar me VKM në zbatim të Ligjit Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”) përcakton në mënyrë taksative dizajnin grafik të automjeteve dhe uniformave policore. Sipas këtij standardi, flamuri kombëtar është i integruar në stemën zyrtare të uniformës, dhe jo si një aksesor i improvizuar apo i ngjitur përkohësisht mbi skafandra dhe mjete të ndërhyrjes operative.
2. Cenim i dinjitetit dhe paprekshmërisë së simbolit: Ligji Nr. 8926, datë 22.07.2002 (“Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar…”) dhe VKM Nr. 473, datë 10.07.2003 përcaktojnë qartë rregullat e përdorimit të flamurit në mjediset publike dhe institucionale, duke ndaluar ekspozimin e tij në rrethana që ulin dinjitetin e simbolit apo e ekspozojnë ndaj ndotjes dhe dëmtimit fizik. Të çosh flamurin në vijën e parë të një përplasjeje fizike, mbi mjete që presin goditje apo hedhin ujë me presion, është antitezë e detyrimit ligjor për mbrojtjen e tij.
3. Kurth moral dhe menaxhim mediatik i konfliktit: Nga pikëpamja e strategjisë së marrëdhënieve me publikun (PR), ky gjest synon t’i vendosë protestuesit në një dilemë artificiale. Duke veshur mjetet e forcës me ngjyrat kuqezi, strukturat drejtuese synojnë që çdo reagim apo përplasje fizike e turmës ndaj autobotëve të shitet në publik dhe media si “goditje ndaj flamurit”, duke zhvendosur vëmendjen nga arsyet e protestës te simbolika patriotike.
Simbolet kombëtare ekzistojnë për të bashkuar qytetarët nën një identitet dhe shtet të përbashkët ligjor. Ato nuk mund dhe nuk duhet të përdoren as si dekor për mjetet e forcës shtetërore, dhe as si mburojë propagandistike për të legjitimuar ndërhyrjen policore ndaj qytetarëve.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?