“Arena e Demave” ndryshon pamje, Partizani me fushë moderne për Euro U-21
Stadiumi “Arena e Demave” po kalon në një fazë të rëndësishme transformimi. Punimet për rikonstruksionin e fushës po vijojnë me ritme të larta, ndërsa pamjet e fundit të publikuara nga klubi i Partizanit tregojnë progresin e ndërhyrjeve në impiantin kryeqytetas.
Vëmendja kryesore është përqendruar te tapeti i ri, i cili do të jetë i teknologjisë hibride, me 90% bar natyral dhe 10% bar sintetik. Një investim që pritet të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e terrenit dhe të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e ndeshjeve.

Ky ndryshim vjen pas disa vitesh përdorimi të një fushe tërësisht sintetike, e cila ka qenë shpesh objekt diskutimi për cilësinë e lojës dhe ndikimin në kushtet fizike të futbollistëve. Me sipërfaqen e re hibride, Partizani synon të ofrojë një terren më pranë standardeve moderne të futbollit europian.
Përtej rëndësisë që ka për klubin e kuq, ndërhyrja merr një vlerë të veçantë edhe në prag të Kampionatit Europian U-21, ku “Arena e Demave” pritet të jetë një prej impianteve pritëse të këtij kompeticioni. Shqipëria do të organizojë për herë të parë Europianin e kësaj grupmoshe, një ngjarje madhore për futbollin shqiptar dhe infrastrukturën sportive në vend.
Sistemi hibrid i tapetit, i përdorur në stadiume të ndryshme europiane, kombinon rezistencën e fibrave sintetike me karakteristikat natyrore të barit, duke garantuar një sipërfaqe më të qëndrueshme dhe të përshtatshme për ngarkesë të lartë ndeshjesh.
Sipas ecurisë së punimeve, në vijim pritet vendosja e shtresës së barit natyral, e cila do të përbëjë pjesën dërrmuese të sipërfaqes së re. Objektivi është që gjithçka të përfundojë në kohë për të përmbushur kërkesat organizative të Europianit U-21.
Kujtojmë se ky kompeticion do të zhvillohet në katër qytete shqiptare: Tiranë, Elbasan, Rrogozhinë dhe Shkodër. Për Partizanin, projekti përfaqëson gjithashtu një investim me rëndësi afatgjatë, pasi fusha e re do t’i shërbejë skuadrës edhe në kampionatin shqiptar dhe në ndeshjet europiane, në rast të kualifikimit./
Sprint.al
