Sport

28 Nëntori i historisë në ring, Nelson Hysa sfidon Agit Kabayel për titullin kampion bote

KAON

Për herë të parë një boksier shqiptar synon kurorën e botës në peshat super të rënda. Në Ditën e Flamurit, Top Channel ndjek nga afër sfidën historike, ndërsa Hysa premton të përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në duelin me kampionin e WBC-së.

Një 28 Nëntor që mund të kthehet në një nga datat më të rëndësishme të historisë së sportit shqiptar. Në Düsseldorf të Gjermanisë, Nelson Hysa ngjitet sot në ring për të sfiduar Agit Kabayel, kampionin e botës dhe mbajtësin e rripit WBC në peshat super të rënda. Një përballje e jashtëzakonshme, që për herë të parë vendos një boksier shqiptar, nën flamurin kuqezi, përballë mundësisë për të fituar titullin kampion bote në boksin profesionist.

Top Channel është i pranishëm ekskluzivisht në Düsseldorf, për të sjellë nga afër atmosferën, emocionet dhe përgatitjet për këtë natë historike, që përkon me festën më të rëndësishme kombëtare të shqiptarëve.

Një ditë përpara duelit, në Düsseldorf Arena u zhvillua takimi i fundit mes dy boksierëve, përpara se gjithçka t’i lihet ringut. Për Nelson Hysën, kjo është sfida që ka pritur gjatë gjithë karrierës së tij 26-vjeçare. Ai nuk e fsheh emocionin dhe krenarinë që do të përfaqësojë Shqipërinë në një duel të këtij niveli.

‘E prisja një ndeshje për titull kampion bote, e dëshiroja, pas një karriere shumë të gjatë prej 26 vitesh, prej një pune shumë të madhe. Shpresoj që të na shkojë mbarë e mirë. Normalisht që është ndeshje për kampion bote dhe është hera e parë që Shqipëria shkon në titull për kampion bote me flamurin shqiptar. Jam shumë i emocionuar dhe i gëzuar që e vendosim Shqipërinë për herë të parë në hartën botërore të boksit profesionist’- shprehet Hysa.

Në krah të tij është edhe Zef Gjoni, një prej trajnerëve më të njohur dhe më të suksesshëm të boksit shqiptar, i cili vlerëson mbi të gjitha faktin se një sportist shqiptar ka arritur të fitojë të drejtën për të luftuar për kurorën botërore.

‘Rëndësi ka që një boksier shqiptar, Nelson Hysa, arriti të ndeshet për titull bote’-thotë Gjoni.

Për menaxherin e boksierit, Ilir Bregasin, kjo sfidë merr një kuptim edhe më të veçantë për shkak të datës kur zhvillohet. Një përballje për titull bote pikërisht në Ditën e Flamurit, që mund të shndërrohet në një festë të dyfishtë për shqiptarët.

‘Duke qenë se koincidonte me festën tonë kombëtare, inshallah qoftë një festë e madhe për të gjithë ne’-shprehet Bregasi.

Tashmë gjithçka është gati. Nelson Hysa do të kërkojë të shkruajë historinë përballë Agit Kabayel, në një sfidë ku përtej objektivit personal dhe sportiv, në ring do të jetë edhe krenaria për flamurin shqiptar.

‘Albania, love you!’-është mesazhi i Hysës për të gjithë shqiptarët.

Përgjigjja përfundimtare do të vijë nga ring-u i Düsseldorfit, në një natë kur sytë e sportdashësve shqiptarë do të jenë të drejtuar nga Gjermania.

Top Channel

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?