Mjekët shqiptarë në Gjermani peticion për Bundestagun: Përdorimi i gazit lotsjellës, joproporcional
Një grup mjekësh dhe profesionistësh shëndetësorë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani kanë ndërmarrë një peticion drejtuar Bundestagut gjerman dhe deputetëve gjermanë në Parlamentin Evropian.
Në peticion, ata shprehen të shqetësuar për situatën në Shqipëri dhe protestat që, sipas tyre, prej më shumë se katër muajsh po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera.
Ata kërkojnë një qëndrim publik në mbrojtje të së drejtës për protestë paqësore, si dhe një hetim të pavarur e transparent mbi pretendimet për përdorim joproporcional të forcës nga policia.
“Organizata të të drejtave të njeriut kanë raportuar përdorim joproporcional të forcës nga policia dhe hedhje gazi lotsjellës pa paralajmërim. Edhe Delegacioni i BE-së në Tiranë ka kërkuar hetim të shpejtë të këtyre pretendimeve.”, thuhet në reagim.
“Si mjekë, e dimë se çfarë dëmtimesh shkakton gazi lotsjellës, sidomos te fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Ambulancat dhe personeli mjekësor duhet të shërbejnë vetëm për kujdesin ndaj të lënduarve, kurrë si pjesë e operacioneve policore.”, thuhet më tej.
Ata i bëjnë thirrje deputetëve gjermanë që çështja të përfshihet në axhendën e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht në lidhje me shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore. Peticioni apelon që të përdoren mjetet diplomatike në dispozicion për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
