Legaliteti: Kjo qeverisje ka rënë. Nuk mund të mbahet peng shteti për pushtet politik
Kjo qeverisje ka rënë. Shteti nuk mund të mbahet peng i pushtetit politik.
Partia Lëvizja e Legalitetit
Parta Lëvizja e Legalitetin ngre shqetësimin e saj për situatën e sotme të krijuar në vend ku Shqipëria po përballet me një krizë të thellë politike, institucionale dhe të besimit publik.
Në një kohë kur qytetarët po varfërohen çdo ditë e vendi po shpopullohet, kur pas çdo tenderi qeveritar qëndrojnë afera korruptive në interes të personave dhe grupe të lidhura me krimin dhe pushtetin, kur pas personazheve të përfshirë në krim dhe korrupsion shfaqen persona të strukturave ligjzbatuese të shtetit që, në vend të ligjit, ofrojnë shoqërim, informacion dhe mbështetje të paligjshme, kur rendi dhe siguria mungon, atëherë problemi nuk është më vetëm i individëve.
Atëherë nuk kemi gjë tjetër, thjeshtë, Shteti ka rënë.
Partia Lëvizja e Legalitetit beson se Shqipëria nuk mund të vazhdojë të qeveriset mbi bazën e klientelizmit dhe korrupsionit, kapjes së institucioneve dhe deformimit të vullnetit qytetar. Shteti duhet t’u kthehet qytetarëve dhe institucionet duhet të funksionojnë në shërbim të ligjit dhe të interesit kombëtar.
Për këtë arsye, shtatori duhet të shënojë një kthesë shprese dhe besimi, me një intensifikim të protestës qytetare dhe politike.
Është koha që çdo faktor opozitar të kapërcejë interesat e ngushta personale, protagonizmat dhe ndarjet partiake, duke vendosur mbi to interesin e vendit, për të larguar sa më parë këtë lloj qeverisjeje
Sot më tepër se kurrë nevojitet bashkimi i çdo faktori opozitar rreth ideve, alternativave dhe një platforme të qartë politike, që t’u japë shqiptarëve një vizion konkret se si mund të drejtohet ndryshe ky shtet, me ligj, përgjegjshmëri, meritë, transparencë dhe respekt për qytetarin.
PLL beson se ndryshimi fillon me,
-Dorëheqjen e qeverisë Rama dhe krijimi i kushteve për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe të besueshëm, përmes një qeverie teknike me mandat të përcaktuar;
-Me këmbënguljen për ndryshime të Kodit Zgjedhor, për të garantuar një sistem zgjedhor ndryshe nga ky i sotmi, ku vota të siguroj një përfaqësim real të vullnetit të qytetarëve, duke i dhënë fund prishjes së çdo standarti nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.
Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një rotacion formal pushteti. Ka nevojë për një ndryshim të mënyrës se si duhet të qeveriset vendi dhe si bëhet shteti.
Koha për ndryshim ka ardhur!
