AktualitetPolitike

Besjan Karriqi: Shkrirja e bashkisë Prrenjas/ Kjo reformë po bëhet për mbajtjeen e pushtetit

KAON

Fjalimi i Dr. Besjan Muslim Karriqi në Protestën e organizuar në Prrenjas, kundër shkrirjes së kësaj bashkie!

​Të nderuar bashkëqytetarë, të pranishëm dhe përfaqësues të medias!
Unë jam Dr. Besjan Karriqi. Kam lindur, jam rritur dhe jam formuar këtu në Prrenjas. Sot nuk ndodhem para jush me gëzim, por me një keqardhje të thellë dhe me revoltë për situatën ku e kanë katandisur dhe ku kërkojnë ta çojnë qytetin tonë.
​Dua ta nis me pabesinë politike. Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së, e tregonte me mburrje që në vitin 2015 se kishte ndërhyrë vetë ai që Prrenjasi të mbetej bashki më vete! Sot, po i njëjti njeri ndërron kartë dhe na thotë se Prrenjasi duhet të shkrihet e t’i bashkohet Librazhdit! Ku mbeti koherenca? Ku mbeti mburrja e atëhershme dhe zotimi ndaj këtij komuniteti?
​Dhe ku janë sot deputetët tanë të zonës? Ku është Olsi Komici? Ku është Bora Muzhaqi? Kanë më shumë se 24 orë që janë fshehur e nuk nxjerrin asnjë fjalë! Atyre deputetëve që anëtarët e Partisë Socialiste dhe qytetarët e Prrenjasit u nxirrnin vallet në fushatë, sot iu ka humbur zëri.
​Të jem i qartë me të gjithë: Unë sot nuk po protestoj për vendet e punës të punonjësve të bashkisë. Nuk kam asnjë interes personal aty. Përkundrazi! Ata punonjës duhet të ishin të parët sot këtu duke ngritur zërin, sepse me këtë reformë këtu do të mbeten vetëm disa shërbime elementare, ndërsa i gjithë aparati i drejtorive dhe fuqia vendimmarrëse do të shkojë në Librazhd!
​Kjo situatë nuk lindi sot. Jam përballur edhe në të kaluarën me organizatorët e protestës për zgjedhjet, sepse në këtë vend votuesit janë parë gjithmonë thjesht si një numër — si ajo shifra “6,700” — dhe jo si qytetarë me të drejta e me dinjitet. Kjo qasje teknokratike e pa shpirt na ka sjellë sot në këtë pikë.
​Dua t’i bëj edhe një replikë të drejtpërdrejtë sot atij pseudo-pedagogut, Rezart Prifti, i cili doli sot e ofendoi hapur banorët e Prrenjasit. Një demagog i sëmurë i diskutimeve pa asnjë bazë, që përdor gjuhë fyese ndaj një komuniteti të tërë: Prrenjasi nuk cenohet nga arroganca jote!
​Sa për koeficientët që përmend Arbjan Mazniku: ato formula ndryshojnë nga njëra bashki te tjetra, sepse kundër atyre shifrave të ftohta qëndron historia, kultura, trashëgimia, afërsia gjeografike e zonave dhe mbi të gjitha paaftësia vetëmenaxhuese e disa bashkive që ka çuar në kolapsin e bashkive më të mëdha.
​Por le ta themi të vërtetën troç: Kjo reformë nuk po bëhet për eficiencë, por për ruajtjen e pushtetit! Në zgjedhjet e vitit 2023, në 11 nga 15 bashkitë që po propozohen sot për t’u shkrirë, kishte ende njëfarë demokracie dhe rezultati ishte i ngushtë. Nga frika e ndryshimit dhe e humbjes së kontrollit, sot synojnë centralizimin në bashki të mëdha. Kjo gjë ua pamundëson partive të tjera apo kandidatëve të pavarur e individëve të përballen me makinerinë e partisë në pushtet!
​Mua me këtë bashki aktualisht nuk më lidh asgjë për mirë — nuk më ofron as shërbimin më minimal, as rrugën, as ndriçimin, as pastrimin. Por paaftësia e drejtuesve lokalë dhe një administratë e tejmbushur e nepotike në Prrenjas nuk mund të përdoret si pretekst për të shkrirë vetë Bashkinë e Prrenjasit! Ndëshkoni paaftësinë, jo qytetin!
​Ndryshimi kulturor, historik, i trashëgimisë dhe largësia e madhe gjeografike mes Prrenjasit dhe Librazhdit është evidente. Po përsërisin historinë:
​Na shkatërruan spitalin duke e kthyer në një thjesht qendër shëndetësore.
​Na shkatërruan arsimin duke e kthyer në klasa kolektive.
​Na morën resurset natyrore dhe ia transferuan Librazhdit.
​Kjo është një përsëritje e hidhur e kohës së komunizmit, kur Prrenjasi ishte qyteti industrial e bujqësor që mbante peshën, kurse zyrat e paratë shonin në Librazhd.
​Prandaj po ju thëm sot: Kjo çështje nuk zgjidhet me dy pankarta në duar dhe me thirrje “Rama, jep dorëheqjen!”
​Kjo protestë duhet të përshkallëzohet! Të parët që duhet të ngrihen janë vetë anëtarët e PS-së, bashkë me patronazhistët e tyre, e më pas i gjithë populli, për t’iu treguar vendin atyre që marrin vendime mbi kurrizin tonë.
​Nuk mund të lejojmë të na heqin institucionin e fundit të mbetur në Prrenjas! Kjo çështje e tejkalon politikën e ditës. Këtu secili duhet të mendojë për fëmijët e vet, për prindërit e vet, për familjen, shtëpinë dhe pronat e tij.
​Tregojeni dinjitetin sot! Mos prisni atë rrogën e fundit të muajit. Kjo është diçka shumë më e madhe — kjo është për dinjitetin e Prrenjasit dhe për të ardhmen e Shqipërisë!
​Ju faleminderit!

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?