Analize

Letër nga Uashingtoni: Blerje miqsh dhe gjetje armiqsh të përbashkët

KAON

Nga Jovana Djurovic

Përshëndetje nga Uashingtoni, ku një krizë eklipsohet nga një tjetër. Fillimisht, dy shtetas amerikanë u vranë nga agjentë federalë të emigracionit në Minesota, më pas erdhi publikimi i dosjeve Epstein, i ndjekur nga tensionet lidhur me Iranin dhe një refuzim i Gjykatës Supreme ndaj tarifave të “Ditës së Çlirimit” të Donald Trump-it.

Por ajo që habiti audiencat si në Ballkan ashtu edhe në SHBA ishte “turneu i kryqëzatës” në Uashington i Milorad Dodik, liderit të serbëve të Bosnjës, i cili mbërriti duke kërkuar legjitimitet të ri për veten dhe për agjendën e tij secesioniste, duke u ngrohur në dritën e vendimit të SHBA-së në tetor 2025 për t’i hequr sanksionet ndaj tij.

Për shumëkënd, skenat ishin surreale. Por Dodik duket se ka kuptuar një rregull kyç të Uashingtonit: paraja ka rëndësi.

Me buzëqeshjen vesh më vesh, Dodik pati një pritje të ngrohtë nga rrethi MAGA i Donald Trump. Ai u takua me anëtarë republikanë të Kongresit, me zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt dhe me Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, gjatë gjithë kohës i shoqëruar nga Michael Flynn, ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Trump-it dhe tani lobisti i Dodikut me pagesë 100,000 dollarë në muaj. Një tjetër figurë e njohur që lobon në emër të Dodikut është ish-guvernatori i Ilinoisit, Rod Blagojevich.

Megjithatë, qëllimi shkon përtej përmirësimit të reputacionit të Dodikut.

Në shtator 2025, pak para se të tërhiqej nga posti i presidentit të Republikës Srpska pas një vendimi gjyqësor boshnjak që e ndalonte atë të ushtronte detyrën, Dodik nënshkroi një kontratë 4 milionë dollarëshe me firmën kanadeze Dickens & Madsen, e drejtuar nga ish-oficeri i inteligjencës izraelite, Ari Ben Menashe.

Vlen të përmendet se kjo është kontrata e parë e lobimit ku përmendet në mënyrë të qartë si objektiv shkëputja e Republikës Srpska, entiteti me shumicë serbe brenda Bosnjës dhe Hercegovinës. Dodik e ka promovuar këtë ide në intervista me media të afërta me Trump-in.

Brenda qarqeve MAGA, narrativa nuk është e vështirë për t’u shitur. Ajo përputhet me një rrëfim ekzistues që i paraqet të krishterët si të kërcënuar nga myslimanët. Në këtë narrativë, të krishterët e përndjekur janë Dodiku dhe populli i Republikës Srpska, të cilët pretendohet se rrezikohen nga myslimanët në Sarajevë që gëzojnë mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë.

Si një gjest simbolik, Dodik ka nisur ta krahasojë Republikën Srpska me Izraelin. Para se të mbërrinte në SHBA, ai vizitoi Jerusalemin për të marrë Çmimin Jabotinsky për Liri për mbështetjen e tij ndaj Izraelit dhe të drejtave hebraike. Ai gjithashtu e paraqet vazhdimisht veten si një admirues i zjarrtë i Trump-it.

Mbetet e paqartë nëse kjo strategji do të ketë sukses. Pas vizitës së Dodikut, Departamenti i Shtetit rikonfirmoi se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të respektojnë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit dhe “do të vazhdojnë të përdorin mjetet e tyre diplomatike për të mbështetur stabilitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe për t’iu kundërvënë veprimeve që sjellin kërcënime për paqëndrueshmëri”.

Vlen gjithashtu të theksohet se Dodik po i var shpresat pothuajse tërësisht te republikanët e Trump-it. Por çfarë ndodh nëse demokratët rimarrin kontrollin legjislativ në zgjedhjet e mesmandatit këtë nëntor? Senatorja demokrate Jeanne Shaheen tashmë ka bërë thirrje që sanksionet ndaj Dodikut të rivendosen, duke kritikuar pezullimin e tyre dhe duke thënë se administratës “duhet t’i vijë turp”.

Megjithatë, një çështje ku republikanët dhe demokratët mund të gjejnë terren të përbashkët është depërtimi i SHBA-së në tregun energjetik të Bosnjës.

Gazsjellësi Southern Interconnection, i cili do të sillte gaz natyror të lëngshëm amerikan (LNG) në Bosnjë përmes Kroacisë dhe potencialisht do të reduktonte varësinë nga lëndët djegëse fosile ruse, po ecën përpara me mbështetjen e Republikës Srpska. Për Uashingtonin, ky gazsjellës është prioritet. Kjo u rikonfirmua pasi Zëvendëssekretari i Shtetit Christopher Landau u takua me Zeljka Cvijanoviçin, aleate e dikurshme e Dodikut dhe anëtare serbe e presidencës trepalëshe të Bosnjës.

(Ç)Rendi i ri global

Milorad Dodik organizon një darkë në Uashington me këshilltarin Michael Flynn, duke shfaqur në ekran një projeksion pro-Trump në Republikën Srpska pranë një fotoje të Dodikut me një kapelë MAGA. Foto: Milorad Dodik/X.

Pas disa ditësh intensive në Uashington, Milorad Dodik u kthye në Banja Luka dhe shpejt priti Paolo Zampolli-n, të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Partneritete Globale. Zampolli, një biznesmen i lindur në Itali, nuk është diplomat karriere, por njihet gjerësisht si personi që i prezantoi Trump-it një nga modelet që përfaqësonte – Melania Knavs.

Emri i Zampolli-t shfaqet gjithashtu në dosjet Epstein, megjithëse jo në një kontekst inkriminues. Gjatë qëndrimit në Ballkan, ai vizitoi edhe Serbinë, por kryetarja e Parlamentit Ana Brnabiç nuk e bëri publik takimin e tyre, ashtu si edhe mediat pranë qeverisë.

Në Uashington, Zampolli priti ministrin e Jashtëm serb Marko Duriç, i cili ndodhej në qytet për herë të dytë brenda tre muajsh pas vendimit të administratës Trump për të vendosur sanksione ndaj monopolit serb të naftës pjesërisht në pronësi ruse, NIS.

Duriç u takua gjithashtu me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe deklaroi se “të dyja palët po punojnë që viti 2026 të jetë një vit vërtet i madh për marrëdhëniet SHBA–Serbi”, si dhe me drejtorin e Këshillit të Dominancës Energjetike Kombëtare të SHBA-së të Trump-it, që synon të nxjerrë Rusinë dhe Kinën jashtë tregjeve globale të energjisë.

Në përvjetorin e katërt të luftës në Ukrainë, ky këshill organizoi një Samit Transatlantik për Sigurinë e Gazit në Institutin Trump për Paqe, ku morën pjesë, ndër të tjerë, përfaqësues nga Serbia, Kroacia, Ukraina, Bosnja dhe Hungaria. Ata nënshkruan një deklaratë të përbashkët për forcimin e qëndrueshmërisë së tregut të gazit natyror, ndërsa në margjina ministrja serbe e Energjisë Dubravka Dedoviç u takua me ministrin e Jashtëm hungarez Peter Szijjártó.

Kompania hungareze MOL është në bisedime për të blerë NIS-in dhe, sipas Szijjártó-s, sapo të arrihet marrëveshja, “tregjet e naftës të tre vendeve pa dalje në det – Sllovakia, Hungaria dhe Serbia – do të funksionojnë në harmoni dhe atëherë do të jemi edhe më rezistentë ndaj shantazhit politik të tipit ukrainas”.

Ai shtoi se Serbia dhe Hungaria do të përshpejtojnë punën përgatitore për ndërtimin e një naftësjellësi që do të përmirësojë sigurinë e furnizimit me naftë në vendet e tyre.

Pamja e përgjithshme këtu është disi e ndërlikuar: ndërsa Serbia po përpiqet të nxjerrë rusët nga pronësia e NIS-it për shkak të sanksioneve amerikane të vendosura pas luftës në Ukrainë, Hungaria – e cila po përgatitet të marrë nën kontroll NIS-in – është e zënë duke theksuar se nuk do të braktisë lidhjet e saj energjetike me Rusinë, ndërkohë që njëkohësisht bllokon një paketë ndihme të BE-së për Ukrainën.

Duket se shprehja “standarde të dyfishta” nuk është më e mjaftueshme për të shpjeguar (ç)rendin e ri global.

I njëjti “sicario”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me Donald Trump në takimin e Bordit të Paqes në Uashington më 21 shkurt 2026. Foto: Vjosa Osmani/Facebook.

Ndërsa Serbia pret miratimin për shitjen e NIS-it nga Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) e Departamentit Amerikan të Thesarit, Kosova po gëzon marrëdhënie më të ngrohta me Uashingtonin.

Presidentja Vjosa Osmani priti premierën e filmit “Melania” në Prishtinë dhe u shfaq në mënyrë të dukshme në sesionin themelues të Bordit të Paqes të Trump-it në Davos. Anëtarësia e përhershme në Bord kushton 1 miliard dollarë, por Osmani mohoi që Kosova të ketë paguar një shumë të tillë për të qenë në shoqërinë e disa dhjetëra vendeve, asnjë prej të cilëve nuk është aleatë tradicional i madh evropian i Uashingtonit.

Gjatë vizitës së saj në Uashington, Osmani u takua edhe me Marco Rubio, Departamenti i Shtetit i të cilit deklaroi se pret me padurim të punojë me qeverinë e re të Kosovës për të avancuar “paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin ekonomik”, edhe pse ajo do të drejtohet nga i njëjti person, Albin Kurti, veprimet e njëanshme të të cilit më parë e shtynë SHBA-në të pezullonte dialogun strategjik me Kosovën.

Nuk ka pasur përmendje për rifillimin e dialogut strategjik, por toni është padyshim më i ngrohtë se sa ishte vetëm pak muaj më parë.

Anëtarësimi në BE dhe në NATO mbeti në thelb të diskutimeve mes zyrtarëve të Kosovës dhe SHBA-së. Më vonë këtë vit, Kosova do të zhvillojë një stërvitje të përbashkët ushtarake me shtetet anëtare të NATO-s, Shqipërinë dhe Kroacinë, në përputhje me një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak të nënshkruar në mars 2025.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se Beogradi nuk do të mbyllë sytë ndaj aleancës ushtarake të shqiptarëve dhe kroatëve, duke evokuar vitet 1990 dhe shpërbërjen e Jugosllavisë socialiste.

Ndërsa Vuçiçi kthen orën pas, Donald Trump vazhdon të mburret se i dha fund me sukses një lufte mes Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës, një konflikt që, në fakt, ndodhi në fund të shekullit të kaluar.

Por kujt i interesojnë faktet? Duke marrë stafetën gjatë komenteve në Bordin e Paqes, kryeministri shqiptar Edi Rama iu referua ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili – sipas Ramës – u pengua të nënshkruante një marrëveshje paqeje kur u arrestua me urdhër të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe u akuzua për krime lufte.

Rama tha se Thaçi u ndoq penalisht nga i njëjti “sicario” (vrasës me pagesë) që iu vu pas Trump-it, një referencë e qartë ndaj prokurorit special Jack Smith, i cili, përveç hetimit të Thaçit, ngriti edhe dy akuza federale kundër presidentit amerikan lidhur me sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit dhe mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në rezidencën e tij në Florida, Mar-a-Lago.

Smith ka qenë prej kohësh në shënjestër të MAGA-s.

Megjithëse Smith dha dorëheqjen si këshilltar special dhe dy aktakuzat ndaj Trump-it u rrëzuan pas inaugurimit të tij të dytë, Trump nuk ka harruar. Dhe Edi Rama e kupton se në botën e Trump-it, pasja e një armiku të përbashkët krijon një lidhje shumë më të fortë sesa pasja e një miku të përbashkët. ./ Reporter.al/

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?