Rama: Jemi më afër BE-së. Do ta kalojmë këtë test
Kryeministri Edi Rama foli në mbledhjen e grupit të PS, për integrimin e Shqipërisë në BE. “Në këtë udhëkryq kemi një busull, që është Shqipëria në be. Sot në 26 shkurt ne jemi më afër anëtarësimit dhe këtë e them jo metaforikisht, se çfarë ishim më 26 janar, apo 26 shtatorin apo tetorin e vitit të shkuar. Kjo nuk është letërsi, kjo është fakt, e tillë është shpejtësia me të cilin po ecim në atë proces.
Në fund të janarit pas një pune të jashtëzakonshëm kaluam në kuvend një masiv të tretë ligjesh të lidhura me procesin në fjalë. Kemi arritur hyrjen në kapitullin e ri të procesit, që është vlerësimi dhe pastaj marrja e dritë jeshile për atë që quhen pikat e ndërmjetme të cilat janë sipas drejtuesve tona në këtë proces, një test i një vështirësie shumë të lartë dhe kërkojnë përgatitje shumë të lartë
Për të tjerët para nesh janë dashur edhe vit për të kaluar testin e pikave të ndërmjetme, për planin tonë, ky test duhet kaluar në disa muaj. Dhe kjo do forcë, përqendrimin e të gjitha forcave në një drejtim. Besimplotë se do ta kalojmë këtë test, pavarësisht shkopinj ndër rrota dhe tymit të bombave artizanale, se kam vetëm për ato që plasin rrugëve të dëshpërimit opozitar, por për të gjitha ato bomba artizanale që plasin çdo ditë, duke hedhur përpjetë kapakët e 700 tenxhereve mediatike”, tha Rama.
Ai u shpreh serish se në këtë proces është dashur të kapërcehen shumë pengesa, ku me ironi i quajti “shkopinj nën rrota dhe bomba artizanale”, duke iu referuar edhe protestave të opozitës.
“Unë jam besimplotë që do ta kalojmë edhe këtë test. Edhe pavarësisht shkopinjve nën rrota dhe tymit të bombave artizanale – dhe nuk e kam fjalën vetëm për ato që plasin rrugëve të dëshpërimit të pamëshirshëm opozitar, por për të gjitha ato bomba artizanale që plasin përditë, duke hedhur përpjetë kapakët e 700 tenxhereve mediatike. E ka thënë populli, thonë qysh prej kohësh: kur gënjeshtra bën xhiron e botës, e vërteta s’kishte veshur akoma pantallonat. Por atëherë nuk kishte ardhur flama e kanaleve; e vetmja tenxhere mediatike ishte tellalli i gënjeshtrave.
Sot tellallët janë pas çdo butoni që shtyp për të marrë vesh ndonjë haber. Por s’kemi ç’t’i bëjmë sot tellallit të madh që na solli jeta. Ndaj duhet ta rrisim me çdo kusht përqendrimin në punët tona, të mëdha e të vogla, të shtojmë forcat tona. Të përpiqemi edhe më shumë këmbëngulje që të vetëkorrigjohemi dhe përmirësohemi. Jepni ide që të debatojmë së brendshmi, hapur, pa dorashka. Pas debatit dhe ndarjes së opinioneve me njëri-tjetrin, të përqendrohemi në një pikë, dhe në asnjë tjetër: Shqipërinë në BE në vitin 2030.”, tha ai.
