Milena Selimi shpallet “Ambasadore e Kulturës Bullgare 2024”
Dymbëdhjetë personalitete të shquara u nderuan me titullin “Ambasadorë të kulturës bullgare – 2024” në një ceremoni solemne të mbajtur në Radion Kombëtare Bullgare, më 18 dhjetor 2025. Vlerësimi është pjesë e një nisme të medias publike bullgare që prej vitesh promovon krijuesit, veprimtaria e të cilëve kapërcen kufijtë kombëtarë dhe kontribuon në afirmimin ndërkombëtar të kulturës bullgare.
“Radioja është dashuria ime e parë. Kam nisur rrugëtimin tim profesional në radio dhe e di shumë mirë peshën e fjalës,” u shpreh Selimi për Radio Bullgaria pas marrjes së çmimit.
E pyetur se cila është gjëja më e rëndësishme që ka trashëguar nga nëna e saj, një grua bullgare që e ndërtoi jetën në Tiranë, përtej vetë përkthimit dhe në lidhje me identitetin bullgar, Selimi reflektoi mbi rrugën e saj personale si përkthyese dhe ndjesinë e të jetuarit mes dy kulturave dhe dy gjuhëve.
Falë përkthimeve të saj, lexuesit shqiptarë janë njohur me veprat e autorëve të njohur bullgarë si Georgi Gospodinov, Alek Popov, Kalin Terziyski, Milen Ruskov, Todor P. Todorov, Zllatimir Kolarov, etj. Në vitin 2024, Selimi u shpall “Përkthyesja më e mirë” në Panairin e Librit në Tiranë për përkthimin në shqip të romanit “Kohëstrehim”, si dhe u nderua me çmimin “At’ Gjergj Fishta”, një nga vlerësimet më prestigjioze për përkthimin letrar në Shqipëri.
Çmimi “Ambasador i kulturës bullgare” iu dorëzua Milena Selimit nga shkrimtari Georgi Gospodinov, fitues i çmimit Ndërkombëtar “Booker”, i cili mban këtë titull që prej vitit 2021.







