Berisha gol e lider me Lecce-n
Medon Berisha është lojtari më i vlerësuar në fundjavën e fundit në Serinë A. Mesfushori kuqezi ishte përcaktues me golin e tij ndaj Fiorentinës, në “Artemio Franchi”, duke i dhuruar 3 pikë të arta skuadrës verdhekuqe. Goli i dytë në 3 ndeshjet e fundit, që kanë bërë që në Itali të flitet vërtet shumë e pozitivisht për mesfushorin e kombëtares tonë. Një rritje progresive e tij, që nga alternativë nga stoli, këtë sezon ai është një titullar fiks së bashku me Ylber Ramadanin. Ndaj Fiorentinës jo vetëm goli përcaktues që i dha Lecces 3 pikë tepër të rëndësishme, por edhe një performancë tepër pozitive, e vlerësuar në përfundim të ndeshjes nga mediat italiane me notën 8.
Forma e tij e mirë nuk ka mbetur pa rënë në vëmendjen e klubeve të tjera në Itali e jo vetëm. Gjë të cilën e konfirmon edhe vetë Drejtori Sportiv i Lecces, Pantaleo Corvino, që në një intervistë të dhënë së fundmi tha: Po, për lojtarët e dalë nga akademia jonë ka oferta, një ndër to është edhe Medon Berisha. Do ti vlerësojmë. Më vjen mirë për perfromancën e tij në fushë, e cila është fryt i një pune të bërë shumë mirë në sektorin e të rinjve të klubit tonë.
