AktualitetPolitike

Vullnet Sinaj: Dorëheqja e Dredhës, akt qytetarie

KAON

Deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Vullnet Sinaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike pas dorëheqjes së Ermal Dredhës nga drejtimi i Bashkisë së Vlorës dhe formimit të qeverisë së re “Rama 4”.

Gjatë një prononcimi nga aktiviteti “Epopeja e Drashovicës” në Vlorë, deputeti Sinaj e cilësoi dorëheqjen e Dredhës si një akt qytetarie.

“Unë nuk mund të them më shumë se komentet që ka bërë vetë kryetari i Bashkisë së Vlorës për aktin e tij qytetar, për dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Vlorës, për t’i lënë mundësinë më mirë përmirësimit të punëve në Bashkinë e Vlorës. Normal që ai është djalë Vlore, e do Vlorën, është përpjekur të bëjë maksimumin, por në situatën që u ndodhëm, kur kërkesat e qytetit dhe qytetarëve të Vlorës ndaj pushtetit qëndror dhe PS që ka dhe pushtetin qëndror, ka bërë një akt qytetar, mund t’i ndodhë kujtdo siç i ka ndodhur atij në atë situatë. Mendoj që e ardhmja do jetë më e mirë për qytetin,” – deklaroi Sinaj.

Deputeti shtoi se aktualisht në krye të bashkisë është komanduar një nga nënkryetarët, ndërsa së shpejti pritet një vendimmarrje për të përcaktuar nëse ai do të vijojë detyrën për dy vitet e ardhshme, apo do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme.

“Për momentin është komanduar një nga nënkryetarët, për ta drejtuar Bashkinë e Vlorës. Pastaj do jetë në vendimmarrjen e Kryeministrit se çfarë do ndodhë me bashkitë e tjera, ku janë larguar disa kryetarë bashkish dhe do bëhen zgjedhje të reja në ato bashki. Për Vlorën akoma nuk është marrë një vendim. Presim se çfarë vendimi do merret: do vazhdojë nënkryetari ta drejtojë dhe këto 2 vjet, apo do kemi ndryshim në këtë vendimmarrje,” – u shpreh ai.

Ermal Dredha dha dorëheqjen më 10 shtator, ndërsa një ditë më pas sqaroi publikisht arsyet:

“Rrethanat aktuale, familjare dhe personale, apo dhe ato politike e administrative, më shtyjnë të besoj se dorëheqja ime është veprimi më i drejtë në këtë moment. Ky vendim nuk nënkupton largim nga përgjegjësia publike, por është një akt i vetëdijshëm për të krijuar hapësirë për ide dhe ritme të reja zhvillimi për bashkinë tonë,” – u shpreh Dredha.

Sa i përket kabinetit të ri qeveritar, deputeti Sinaj e cilësoi qeverinë “Rama 4” si një ndër më të mirat, me përgjegjësi të madhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Sa i përket ministrave, është një nga qeveritë më të mira. Mendoj që qeveria Rama 4 ka përgjegjësi të mëdha, sidomos në rrugën e Shqipërisë drejt BE. Është qeveri e përzgjedhur me elementë shumë të mirë, të përkushtuar për punën, të cilët mendoj që do ta justifikojnë këtë radhë sepse matja e rezultateve të tyre do jetë konkrete, për të plotësuar të gjitha kërkesat që ka BE, për t’i hapur Shqipërisë rrugën që dhe ne pastaj në Bruksel të çojmë flamurin tonë kombëtar krahas flamujve të vendeve të tjera të kontinentit,” – theksoi ai.

Lajmi nga: Armand Xhelili

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?