GJKKO merr vendimin, kryebashkiaku Erion Veliaj
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në burg kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn.
Gjyqtari Engert Pëllumbi ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” të caktuar ndaj tij.
Ndonëse Veliaj kundërshtoi provat e reja që pretendon SPAK, sikurse janë përgjimet dhe kërkoi heqje të arrestit në burg me qëndrimin se nuk është i rrezikshëm, nuk ka rrezik për t’u larguar, nuk ka mundësi të dëmtojë provat, Apeli vendosi të lërë në fuqi masën e arrestit me burg.
Veliaj akuzohet për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në 9 raste si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas hetimeve të SPAK, përmes 8 bizneseve dhe OJF të Ajola Xoxës dhe të Elman Abules u gjeneruan 1.1 mln euro. Të gjitha këto biznese dhe OJF, tashmë të futura në regjistrin e veprave penale, përdoreshin sipas SPAK që përmes transaksioneve të ndryshme të futnin në sistemin bankar paratë e fituara. Ky qëllim sipas SPAK do të ishte i pamundur pa bashkëpunimin e Elman Abules dhe familjarëve të tij.
