AktualitetPolitike

Hartimi i listave të kandidatëve për deputetë, Rama mbledh Kryesinë dhe ministrat

KAON

Kryeministri dhe njëherësh dhe kryetari i Partisë Socialiste pritet që nesër dhe pasnesër të mbledhë ministrat dhe kryesinë e forcës politike që ai drejton.

Burime për mediat bëjnë me dije se përgjatë kësaj mbledhje, përpos analizë së punës së bërë deri më tani nga kabineti qeveritar, do të diskutohet dhe për zgjedhjet e 11 majit si dhe për emrat e kandidatëve të cilët do të përfshihen në lista.

Ky takim përkon dhe me afrimin e datës 12 mars, datë e cila shënjon dhe afatin e fundit për depozitimin në Komision Qendror të Zgjedhjeve të listave të kandidatëve për deputet.

Përgjegjësinë për hartimin e listës e kanë drejtuesit politikë të qarqeve, të cilët më pas do ta paraqesin në Kryesi nga ku dhe do të dalin dhe listat përfundimtare.

Ndërkohë, vlen të theksohet se të njëjtat “ethe” dhe “tensione” raportohen dhe nga kampi blu. Vetëm pak ditë pas përfundimit të Primareve, ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha doli në një konferencë për shtyp ku dhe bëri publik koalicionin e tij me 24 parti të tjera.

Gjithashtu, ai pohoi se 8 vendet e sigurta u janë besuar aleatëve, ku 4 prej tyre Partisë së Lirisë. Vendi i cili tani është i sigurt në këtë katërshe është ai i Ilir Metës i cili do të kandidojë në Qarkun e Tiranës. Ndonëse presidenti i Partisë së Lirisë kishte kërkuar të garonte në listat e hapura, ishte vetë ish-kryeministri Berisha ai i cili nuk e pranoi këtë kërkesë të Metës duke argumentuar se ai nuk mund të bëjë fushatë pasi ndodhet në qeli dhe si rrjedhojë i caktoi një vend në listat e mbyllura.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?