Berisha: Pa guximin e ambasadorit Walker, ndoshta historia e Kosovës nuk do ishte kjo që është sot
Berisha: Pa guximin e ambasadorit Walker, ndoshta historia e Kosovës nuk do ishte kjo që është sot
Mirëdita dhe një përshëndetje shumë të përzemërt të gjithëve ju në këtë sallë, qytetarëve të Kavajës kudo që janë sot.
Një përshëndetje të përzemërt ambasadorit Walker, këtij personaliteti, emri i të cilit skalitet me daltë në memorien e çdo shqiptari që do lirinë.
Në muret me historisë së këtij kombi, ambasadori Walker është jo vetëm një hero i Kosovës, por është një hero i Shqipërisë dhe hero i çdo shqiptari, pasi ai ka bërë për lirinë kombëtare, si individ, ka dhënë një kontribut që shqiptarët nuk i dalin borxhit kurrë.
I dashur ambasador, historia e Kosovës është medalje me dy anë. Në njërën anë është qëndresa e pamposhtur e qytetarëve të saj ndaj përpjekjeve të pandërprera për eksterminimin e tyre, ndaj përpjekjeve të pandërprera për shpopullimin e saj, për shfarosjen e shqiptarëve nga masakra në masakër, por është edhe histori barbarish ndaj Kosovës.
Masakra e Raçakut, në njëfarë mënyre falë këtij burri që kemi ne sot, ishte rasti kur flijimi i 45 burrave, grave, fëmijë, u shndërrua në dritë lirie për mbarë Kosovën dhe kombin shqiptar.
Ambasador, ka pasur masakra të tjera shumë herë më të mëdha, mjerisht disa prej tyre të kryera nga serbë dhe shqiptarë, nga Beogradi dhe Tirana komuniste, e tillë është famëzeza masakër e Tivarit, që mund të renditet e dyta pas Luftës së Dytës Botërore, pas asaj të Katinit.
Por ato i mbuluan ndryshku i kohës, balta e kohës, tymi i kohës sepse ato nuk patën një dëshmitar vigan si ambasadori, i cili me qëndrimin e tij u shndërrua, me klithmën e tij zgjoi ndërgjegjen e mbarë botës së qytetëruar, por para të gjithash, të vendit të tij të madh, të vendit të lirisë, të SHBA.
Pa qëndrimin tuaj, pa guximin, pa ndershmërinë tuaj, ndoshta historia e Kosovës nuk do ishte kjo që është sot.
Ndaj dhe ne kemi një mirënjohje të pakufishme ndaj jush.
Me këtë rast unë dua të falënderoj kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosen që ka zgjedhur të shprehë nderimin e këtij qyteti ndaj jush.
Por dy fjalë dua t’u informoj ambasador.
Kavaja është një qytet shumë i veçantë, është një qytet i njerëzve punëtorë, të thjeshtë, të mençur dhe të ndershëm.
Është një qytet i njerëzve të besimit tek Zoti.
Shumicë janë sunitë, por ka një komunitet të nderuar ortodoks që shkojnë në harmoni të plotë.
Kanë një meritë të jashtëzakonshme se në periudhat më të zeza të diktaturës, qytetarët e këtij qyteti dhe banorët e këtij rrethi, nuk u lëkundën në besimin e tyre tek Zoti.
Dhe, shumë herë kam pyetur veten, ndoshta edhe ky ishte faktor përcaktues që këta ishin qyteti i parë në Shqipëri që u çliruan nga diktatura komuniste.
Në mars të vitit 1990, Shqipëria ishte moniste.
Të rinjtë shqiptarë vriteshin në kufi sepse kërkonin të dilnin në botën e lirë.
Dhe jo vetëm kaq, por trupat e tyre zvarriteshin në rrugët e qyteteve për të terrorizuar popullatën.
Djemtë e këtij qyteti zbritën në stadiumin e tyre si gladiatorë të lirisë dhe u përballën me diktaturën.
Rexhep Rugeja, Ilir Rugeja e shumë të tjerë u ndeshën me komisariatin e policisë. Në fakt, çliruan qytetin e tyre.
I thashë këto dy fjalë sepse vërtet nderimi i Kavajës për çdo njeri që ka luftuar dhe lufton për lirinë, është një nder i veçantë dhe ju e meritoni këtë plotësisht.
