Rritje alarmante e çmimeve të mallrave të shportës gjatë vitit 2024
Nga 51 grupe mallrash dhe shërbimesh që shërbejnë për matjen e inflacionit mesatar, në 34 prej tyre çmimet u rriten më shumë se mesatarja përgjatë 2024.
Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2024 inflacioni arriti në 2.2 për qind, por shumica e grupe të shportës së mallrave u rriten mbi këtë nivel.
Sipas grafikut të mëposhtëm rritjen më të lartë të çmimeve në vitin 2024 e kishin zarzavatet me 6.2 %, kondicionerët (5.4%), akomodimi në hotele me 5.2 %. Gjithashtu rrije mbi mesataren kishin edhe veshjet për fëmijë (5.1 %), mallra dhe shërbime shtëpie 4.8%. Më shumë se inflacioni mesatar është rritur edhe tarifa e ujit, e cila rregullohet nga shteti nëpërmjet Entit Rregullator të Ujit.
Të gjitha mallrat dhe shërbimet që kanë lidhje me shtëpinë, të tilla si elektro-shtëpiake, tapiceri, mobileje janë rritur mbi 2.5 deri në 4%.
Në krahun tjetër gjatë vitit të kaluar çmimet mesatare kanë pësuar rënie për 6 grupe mallrash dhe shërbimesh.
Rënien më të madhe e ka pësuar grupi “ Vajra dhe Yndyrat” me -2.7 për qind në krahasim me vitin 2023 duke reflektuar bazën e lartë të çmimeve në këtë produkt pas luftës në Ukraine ku çmimi i yndyrave në tregjet globale arriti rekord përgjatë 2022-2023.
Rënie kanë shënuar edhe çmimeve e mjeteve të transportit me 2.4 për qind në krahasim me 2023 të ndjekura nga pajisjet audiovizive me- 2.4%, shërbimet ndaj mjeteve të transportit me -2.1% dhe çmimet e frutave që pësuan ulje me -0.9%.
Frutat janë përbërës i kryesor i inflacionit në vendin tonë, për shkak të peshës së lartë që kanë në shportën e mallrave.
Zakonisht çmimet e frutave rriten më shumë se mesatarja e inflacionit, por gjithashtu çmimi i tyre varet edhe nga ecuria e prodhimit vendas. Psh në rastet e thatësirave ose ngricave prodhimi i frutave shpesh dëmtohet si në vitin 2023 dhe çmimi i tyre rritet për shkak të furnizimeve nga importi.
Për 9 grupe të tjera të mallrave dhe shënimesh çmimet janë rritur më pak se inflacioni mesatar 2.2% më 2024. Grupe të tilla si këpucët për fëmijë, uji mineral, kafja, pijet jo-alkolike, buka dhe lavastoviljet dhe shërbimet spitalore janë rritur më pak se inflacioni mesatar.
Shporta e mallrave të konsumit mujor në vendin tonë ende dominohet nga ushqimet. Të dhënat tregojnë se rreth 60 pikë për qind të inflacionit përbehet nga rritja e çmimeve të ushqimeve.
Sipas INSTAT ushqimet dhe pjet jo-alkolike zënë 40 për qind të shpenzimeve mujore në familjet shqiptare në vitin 2023. Shqipëria renditet e para në Europe për peshën e lartë të ushqimeve në shpenzimet mujore të banorëve të saj, një tregues i nivelit të lartë të varfërisë relative./MONITOR

