Poezi

“Baladë për kthimin në shtëpi”-Poezi nga Agron Tufa

KAON

Bibliotekë ekzili

Bibliotekë ekzili, e një gjuhe që nuk e njoh.
Rafte të mbushna me libra të blemë lirë,
të falun, të qitun jashtë shtëpive.

U bana strehë në këto rafte, mes të cilëve tash,
netëve t’pagjuma, endem i përhumbun
si një shaman në kërkim të shpirtnave;
u kall vështrimin pyetës shpinoreve, titujve
me një dilemë të pezullt në mendje.
Po librat saorë ngjishen mbas njeni-tjetrit në rafte –
japin me kuptue: “nuk do të bahmi kurrë të tutë!”

Duhet kohë, them. Shmang vështrimin. Duhet kohë,
shestoj me vete, me folë, me u marrë vesh,
ashtu siç bajnë burrat me gratë e hueja,
të pashmangshme.
Më sëmbon sakaq ekzistenca
e braktisun e bibliotekës sime në Tiranë,
ndjesia ime, si e një anijeje të ankorueme
me spirancë në brigje të sigurta, të kuqërremta,
të veshuna me një vjeshtë të begatë dijesh
me fruta t’pamorta.

A s’asht njëmend kështu, o të ngjashmit e mi?
Qiejt tanë janë biblioteka.

Do kisha dashtë me u shkimbë në prehnin
e Sofisë time qiellore në Tiranë, mbuluem
me vëllime të trasha klasike, enciklopedi,
fashikuj poezish e traktate, midis një kuvendimi
joshës, pambarim, tue u fikë kadalë
si kandili në përpëlitjen e mbrame.

Por tash më duhet me shpikë një vete tjetër,
një tjetër jetë, derikur ta zbus këtë grue të egër,
të panjohun e të ftohtë, që fati ma shtiu për short.

1 nëntor 2020

 

Pjesa e tretë e Don Kishotit

Kufomë me tru të kthjellët
pas verbimit të iluzionit të fundit,
ti hap sytë, më në fund, dhe kupton
se gjendesh në shtratin e hjekës,
në shtëpi, lavdi Zotit,
bash në Mançë.

Fërfëllon shtatit tënd
brendësia e kallamit bosh,
që aq shumë e pate cfilitur
me palcën e zjarrtë
të ëndrrës kokëkrisur
mbi shpinë të Rosinantit.

Tash, me shpirt të esëllt,
paksa të ngashëryer –
të duhet t’u buzëqeshësh
gjindve përreth shtratit –
Priftit, Berberit dhe Sanços,
Kalorësit të ri Samson Carrasco
(atij që të mposhti) dhe padyshim –
mbesave të tua lënesha.

Saora ti prek me mend të vërtetën,
se për ta ti ke qenë gjithmonë një pengesë,
një barrë e lodhshme, e urryer,
një fluturak i çartur me flatra verbuese…
Kupton se si, mandej, u mblodhën, si u besatuan
farisejt e tu të dashur
dhe t’i prenë…

Ti kollitesh, kollitesh dhe mes kollitjesh pyet:
“Ç’është, nga vjen kjo erë e rëndë kështu?” –
(ndonëse e njeh mirë erën e shkrumbit të librave).

Ndrëkohë kujtesa jote e regjur
rreh t’ia qëllojë: ç’është thënë,
ç’këshillë kanë dhënë urtakët e lashtë me u ruejt
nga dashuria e dhimbsuria e vërtetë, por vrastare
e farisejve të tu të shtrenjtë?

Mungesa e përgjigjes të çmerit.
Mandej fill – troku i ngutshëm i ankthit
me shtiza vezulluese mes gishtash virtuozë
nxiton të thurë një mjegullishtë të dendur,
një re qumshtore, që të të fshehë sërish prej tyre,
kësaj here padukshëm, përgjithmonë,
në një aventurë të re, të cilën
asnjë Cervantes s’do ta shkruajë dot.

2022-2023

Baladë për kthimin në shtëpi

Lëpihet qelqesh hën’ e zbehtë.
Ç’po mih një kthetër në sepet.
Këtu, pa kthyer tash sa vjet
në shpi të nanës mbetun shkretë,
kush paska hyrë? Kush do të jetë,
që mih kjo kthetër në sepet?

E hapa portën në mesnatë,
pa pipëtirë asnjë kanatë
me drojen se mos zgjoj ndokënd
dhe mbajtja vesh heshtjen e rëndë,
teksa mësoj me terrin sytë
veç me pak dritë në superdritë.

Marrtaz shqova paksa muret,
mandej u shfaqen gjith’ konturet
që syri im i veshi vetë
me plus-minus identitet
gjer u lëshova në divan.
Erëmon përreth diç si temjan.

I mbylla sytë të shoh më mirë
ç’më fshihnin vitet bërë fir,
prejsè e ambla ime amë
doli pa kthim prej këtij pragu –
kur një gërrvimë e një rropamë
ia dhanë së larti nga çardaku.

Brofa vrik e mbajta vesh.
“Ç’të jetë?” – hamenda. Bën vaki
kësaj mesnate që të ndesh
të tjerë bujtës në shtëpi?
Marr shkallët ngjis e befas step:
rrëmon një kthetër në sepet.

Përnën çardak, në kat të dytë,
në odën e së amblës amë
qenë qitë speti pirg stolitë
dhe kthetra mihte me rropamë
sikur andej shkepte mëlçitë –
krejt rropullitë e s’ndjerës nanë.

Shituar mbeta mu në prag
me morsë ndërdyshje i mbërthyer –
mes frik’ e mllefi zemërak
pashë gjithçka me sy të shqyer,
si fekste pirg’ i verdhë në cep
dhe mihte kthetra në sepet…

Me vite larg kësaj shtëpie
qëkur iu kthye qiellit nana,
si t’i besoj kësaj shajnie?
Mos i zë besë çka ndriçon hana?
Dhe ndjej se as nuk iki dot
mbuluar prorë me turp e ndoht.

Do t’ketë qenë vrull prej pantere
mbi prenë e pyjeve mesvere
kërcimi im me thonjtë në fyt.
Dhe çjerrje, klithma gjer tek yjtë…
gjer kur një krismë përposh buçiti –
gjëmim i mbytur dinamiti.

Pashë jetën të më hiqej osh…
I errët gjaku që përposh
rrodhi dhe veshi stolitë.
Tash nga tavani s’ua shqis sytë
tek ikin hapat nëpër shkallë…
Mbeç as i vdekur, as i gjallë.

16-17 prill 2020

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?