AktualitetPolitike

Pandeli Majko: Burgu është për burrat dhe për socialistët!

KAON

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, lidhur me goditjet e fundit që SPAK-u i ka dhënë ligjvënësve socialistë, është shprehur me humor se “burgu për burrat është dhe për socialistët”.

Majko është shprehur se dhe pse Prokuroria e Posaçme ka goditur kolegët e tij socialistë, kjo do të thotë sipas tij se qeveria po pranoj sistemin e ngritur.

Ligjvënësi socialist tha se nuk dëshiron të dalë publikisht e të thotë “mbrojtja është personale”, por ai shton se ky sistem i ngritur “është një diferencë shumë e madhe që kemi me palët e tjera.”

Sipas Majkos, sulmi i SPAK-ut nga partitë e tjera, referuar kështu opozitës, “e kalon komplet në plan të dytë se sa socialistë janë goditur sot nga sistemi drejtësor apo sa janë në sistemet e burgimit. “

Sakaq, deputeti socialist ka thënë se politikanët njerëz janë e bëjnë gabime, për të cilat duhet të japin llogari përpara drejtësisë.

“Unë nuk them që jemi engjëj, prandaj po ndodh kjo, ne jemi njerëz që bëjmë gabime dhe secili sipas mënyrës së vetë do japë llogari. Prandaj është edhe kjo arsyeja pse unë nuk kam qejf të shkoj nëpër këto banaqet dhe të bëj sikur këtu nga Partia Socialiste uji vjen i pastër, por pastaj disa të poshtër bëjnë këtë apo atë.”, tha Pandeli Majko në abcnews.

Ai shton se politika shqiptare e ka “kërkuar” të gjithë këtë procesin që ndodh.

Pandeli Majko: Jo vetëm që ka goditur nga radhët e PS-së, por ka bërë vaki dhe që kemi ngelur dhe pa tekst, në kuptimin për miq, shok, që kemi pasur krah për krah. Unë nuk hyj tek ata që dua të dal këtu dhe të them mbrojtja është personale.

Mua më ka dhembur për secilin dhe mendoj që kjo është njëra anë e problemit, por ana tjetër që duhet vlerësuar është që PS pranon sistemin. Sistemi është ashtu siç është, ligji ashtu siç është shkruar, me ndihmën e perëndimorëve, të cilët na kanë ndjekur hap pas hapi dhe mendoj se kjo është një diferencë shumë e madhe që kemi me palët e tjera. Po të kishin qëndruar palët e tjera në Shqipëri me një lloj qetësie, relative, por me një lloj qetësie, ne sot si PS do ishim në pozitë më të vështirë. Fakti që palët e tjera e marrin shumë më tepër me agresivitet, e shpallin SPAK-un organizatë kriminale, kjo pastaj e kalon komplet në plan të dytë se sa socialistë janë goditur sot nga sistemi drejtësor apo sa janë në sistemet e burgimit. Batuta që më thanë mua në Kukës është që burgu është për burrat dhe për socialistët, domëthënë në kuptimin e parë të fjalës, pra që në burg po shkojnë socialistët, megjithëse ky është një sistem i ngritur votës së mazhorancës sonë.

Unë nuk them që jemi engjëj, prandaj po ndodh kjo, ne jemi njerëz që bëjmë gabime dhe secili sipas mënyrës së vetë do japë llogari. Prandaj është edhe kjo arsyeja pse unë nuk kam qejf të shkoj nëpër këto banaqet dhe të bëj sikur këtu nga Partia Socialiste uji vjen i pastër, por pastaj disa të poshtër bëjnë këtë apo atë.

Politika shqiptare e ka kërkuar këtë që po ndodh, ose me e thënë me dialekt verior, meqenëse jam i deleguar në Kukës, e ka lyp këtë proces që po ndodh.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?