SPAK përfundon hetimet për Plarent Ndrecën, akuzohet për…
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për deputetin e Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, i cili disa kohë më parë është marrë i pandehur, lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohën kur ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
Këtë të mërkurë, përfaqësuesit ligjor janë paraqitur në SPAK për t’u njohur me përfundimin e hetimeve, ndërsa kanë disa ditë kohë të përgatisin memot e tyre, para se dosja të zbresë në GJKKO me kërkesën e nisjes së gjykimit.
Akuza Ndrecës i është komunikuar për “Shkelje të barazisë në tender”, ndërsa bashkë me të, u është komunikuar edhe disa zyrtarëve të tjerë si dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj, teksa është duke u hetuar edhe një tjetër tender i kësaj periudhe që ka të bëjë me uniformat e Policisë së Shtetit.
