Meloni: Pas kthimit të 12 emigrantëve në Itali, javën tjetër niset drejt Gjadrit grup i ri
Anijet e Rojes Bregdetare italiane me në bord 12 emigrantët e marrë nga qendra e pritjes së Gjadrit u larguan drejt Barit, por ky nuk është fundi i diskutimeve mbi fatin e nismës së shumëlëvduar të qeverisë iraliane, përkundrazi. Të premten, Gjykata e Romës shfuqizoi urdhrat për mbajtjen e këtyre emigrantëve në qendrën e pritjes në Shqipëri dhe tha se ata kanë të drejtë të dërgohen në Itali.
Kryeministrja Giorgia Meloni nuk tërhiqet, e mediat vendase thonë se javën që vjen, do të nisë një grup tjetër emigrantësh drejt Shqipërisë. Ministri italian i drejtësisë, Carlo Nordio u shpreh se “ kjo është çështje që i takon politikës dhe nuk është përgjegjësi e magjistratëve”.
“Nuk mund të jetë drejtësia, shtoi ai, që e përkufizon nëse një shtet është më pak apo më shumë i sigurtë, është një vendim shumë i lartë politik.
Ne do të marrim masa legjislative”, deklaroi ai. Në fillim të kësaj jave, në përgjithësi 16 emigrantë, që u shpëtuan në Mesdhe, u dërguan në Shqipëri përmes një anijeje të marinës italiane, duke u bërë grupi i parë i njerëzve që u strehuan në qendrën e re në Gjadër, pas marrëveshjes së vitit të kaluar mes dy vendeve. Katër prej tyre u kthyen në Itali ditë më parë, për shkaqe shëndetësore, apo për shkak se ishin të mitur.
