Spiropali: “Sot jemi më afër se kurrë BE-së”
Drejtuesit politikë të Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali, nisën sot një tur të shpejtë në të gjithë qarkun, si parapërgatitje për zgjedhjet e vitit 2025.
“Duhet ta ngremë Flamurin e Republikës së Shqipërisë në oborrin e Bashkimit Europian. O jemi afër sot, o s’kemi qenë kurrë më përpara! Kjo është arsyeja pse na duhet ky mandat i katërt, për ta çuar Shqipërinë në familjen evropiane, si aspirata e qindra viteve, por është fati ynë, i kësaj skuadre, i PS-së dhe Edi Ramës, që ta përmbushim këtë mision”, tha Veliaj.
“Puna jonë do të flasë për ne dhe unë mezi pres të punoj me secilin prej jush në të gjitha qendrat e votimi dhe kudo tjetër në Shqipërinë tonë, e cila në 2030-ën duhet të jetë anëtare e BE-së. Nuk mund të mbahet peng nga askush dhe për asnjë arsye”, u shpreh Spiropali.
Sipas drejtuesve politikë të Tiranës, ambicia për mandatin tjetër të PS është rritja më e madhe e pensioneve dhe rrogave të shqiptarëve.
