SPRINT NEWS ALBANIA

Poezi

“Të vdekurit flenë, të gjallët nuk flasin”-Poezi nga Irena Kuka Dragoti

M’i morën të gjitha…
M’i morën të gjitha….
guximin,
dhe frikërat e mia më të mëdha
Më vodhën heshtjen
tani vetëm flas…
për rrugë pa krye e stinë të marra
Pa gjumë shoh endrra
e kohën s’e mat
Mi morën të gjitha…..
lirinë, burgun dhe rrugën përmes
Jam një rrëmujë tani,
nga ato të mëdhatë
që vjedhësit pas e lënë

Të vdekurit flenë

 

Të vdekurit flenë
gjumin e fundëm
Me gurin e varrit, kohës trokasin

Të gjallët nuk flasin
e në skaj të dilemës
Neuronin e harresës, përkundin shtratit

Të mençurit matin
me tingullin e lëkurës
Një betejë të humbur, fund e krye

Të marrët nuk ndalen
me fuqinë e zbrazjes
Tejkalojnë guximin, pa iu trembur fatit

Njerëzorja sheh pjerrët
Është epokë e zmbrapsjes
Shekulli i njëzetenjë, marshi i djallit

Dhe bota flaket
e shuan fjalët
nën qiellzën e lagësht…

Është nëmur bota
sa ngushtë i rri mosha
më lini pak të shlodhem, kam drojë.

 

Të tjerat m’i jep Atdheu 

 

Nuk kam ardhur të luaj teatër,

ndaj uleni siparin.

Jam një e huaj;

kërrus aromat e syve, sjellë nga toka ime.

Të huaj kam shtëpinë dhe gjumin e pakët,

si udhëtim vajtje-ardhje bëj çdo natë.

Ndaj shihmëni pa mëri;

nuk kam ardhur t’ju futem

në zemër të kujtesës,

as t’ju gdhend të ardhmen.

Fati im është hija ime

që mbillet e korret çdo stinë.

Flamurin tim me shkabë

nuk ia valëvis vjeshtës së tretë,

sepse kurrë nuk fryu erë e marrë

në ballkonin nga sheh ky qytet.

Ju përkas në letra me dy gjysma atdheu;

udhëtoj mes tyre me varkën e syve;

në netë mërzie ajo shpesh më mbytet…

Por nuk kam ardhur të shoh

dritaresh të avullta mallin tim të pafuqi,

kur lëpin plagët.

Prej shenjash ndaj stinët,

por gjithmonë bën dimër;

yjet mezi shihen, vonon perëndimi.

Lotët përveshin mëngët,

hakërrehen mollëzash,

qëkur mbathën heshtjen,

morën ngjyrë ndryshk.

Por nuk kam ardhur të buzëqesh,

fshehur buzëve,

as të blej varre për të ngulur rrënjët.

 

Jam veç shtegtare;

nga faqja e pasme e diellit

rishpik horizonte dhe i shtrëngoj dorën dhembjes.

Guxoj të humb, duke matur etjen

pa tradhëtuar ëndrrat, në gojë të reshjeve.

Por nuk kam ardhur t’ju marr lirinë,

veç doja të rritem;

kurrë nuk jam mbytur nga dallgë zilie.

Një copëz më duhet, një copëz marrjefrymë;

urtë kur të plakem, ta kthej në shtëpi.

Nuk kam ardhur të zbardhem këtu…

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?