Irani: Lajmëruam aleatët për sulmin ndaj Izraelit 72 orë përpara
Ai ka thënë, po ashtu, se Irani i ka informuar Shtetet e Bashkuara se sulmet e tij kundër Izraelit do të jenë të “kufizuara” dhe për vetëmbrojtje, gjatë një takimi me ambasadorë të jashtëm.
Izraeli dhe aleatët e tij i kanë rrëzuar pjesën më të madhe të rreth 300 dronëve dhe raketave të nisura përgjatë natës prej Iranit.
Ushtria amerikane dhe ajo britanike është thënë të kenë ndaluar një numër të madh të raketave dhe dronëve ende pa arritur në Izrael.
Autoritetet izraelite kanë raportuar vetëm për dëme të lehta në një instalim ushtarak dhe kanë thënë se një vajzë shtatëvjeçare është plagosur rëndë, pasi pjesa më e madhe e raketave janë rrëzuar pa arritur në tokë.
Irani ka thënë se sulmet janë kundërpërgjigje të një sulmi të kryer në konsullatën iraniane në Siri, më 1 prill, si pasojë e të cilit janë vrarë disa iranianë, përfshirë figura të rëndësishme ushtarake, shkruan REL.
Izraeli as nuk e ka pohuar, as nuk e ka mohuar kryerjen e sulmit.
Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, e ka paralajmëruar Izraelin kundër ndonjë “sjelljeje të pamatur”, pas sulmit, duke thënë se përgjigja pasuese e Teheranit do të jetë “edhe më e fuqishme”.
Ushtria iraniane ka pretenduar se sulmet e saj i kanë arritur të gjitha objektivat dhe se operacioni është kryer me sukses.
Qeveritë perëndimore dhe të tjera kanë bërë thirrje për përmbajtje.
