AnalizePolitike

PPE:-Përgjegjësi dhe vizion për ëndrrën Europiane

ARDIT GJINALI

Partitë Popullore Europiane (PPE), grupi më i madh politik në Parlamentin Europian prej vitit politik 1999, përkatësia politike e qendrës së djathtë, zhvilluan Kongresin që u mbajt në Bukuresht, Rumani përkatësisht në datat 06 dhe 07 Mars, 2024. Ky Kongres u mbajt në periudhën politike në përputhje me zgjedhjet politike për Parlamentit Europian që do të mbahen më Qershor, 2024;- kongres politik i mesazheve shumë-dimensionale të përcjella, përkatësisht që nga vend-mbajtja, Bukuresht-Rumani dhe në prezantimin e manifestit, i tilli që parashtron vizionin mbi zgjidhjet e së ardhmes përballë kompleksitetit të sfidave, të njëjtat që zgjidhen përmes njohjes dhe përballjes, jo mohimit, dëshmi e një përgjegjësie mbi vizionin Europian që vijon.

Mesazhi politik i vend-mbajtjes së Kongresit në Bukuresht është në koherencë të plotë me mbështetjen dhe shpërblimin politik ndaj përpjekjeve të qeverisë së qendrës së djathtë mbi përfshirjen e Rumanisë në zonën Shengen; -mesazh politik mbi “Europën” që tejkalon kufijtë e hartës politike tradicionale me perspektivën politike pro-aktive kah zgjerimit;- mesazh politik mbi vëmendjen politike Europiane në koherencë me rrethanat e reja gjeopolitike ku afërsia territoriale me Moldavinë, e fundit potencialisht e rrezikuar nga tendencat e inkurajimit të vatrës së konfliktit nga fuqia famëkeqe e Kremlinit;- mesazhi dhe angazhimi mbi “Europën” si një realitet gjeopolitik i pakthyeshëm në asnjë dimension në sferat e ndikimit të së shkuarës.

Përtej përcjelljes së mesazhit politik mbi vend-mbajtjen, votimi mbi kandidaturën paraprake të Partive Popullore Europiane për Presidencën e Komisionit Europian shënon një lajm të rëndësishëm politik mbi konfigurimin e mundshëm institucional Europian në realitetin politik pas-zgjedhor, kandidatja do të jetë Presidentja aktuale e Komisionit Europian, Ursula VON DER LEYEN;- kujtojmë që praktika e quajtur “SPITZEN KANDIDAT-Kandidati udhëheqës” është përdorur gjatë zgjedhjeve të viteve 2014 dhe 2019, përkatësisht me Jean Klaud JUNKER dhe Manfred WEBBER, i pari u emërua pas nominimit, i dyti nuk u emërua në postin e Presidentit të Komisionit si shkak i negociatave pas-zgjedhore.

“Ne jemi partia e Europianëve dhe Europa është shtëpia e njerëzve. Për ne, nuk ka Europianë të nivelit të dytë apo të parë, ne jemi partia e rendit të së drejtës dhe të ligjit, ne duhet të dëgjojmë shqetësimet e të gjithëve, të ndërtojmë ura komunikimi duke përcaktuar prioritetet për Europën. Ne jemi Partia e vendeve të punës, prosperitetit, sigurisë, mbrojtjes dhe solidaritetit. “Optimizëm-Vizion-Vlera” mbetet propozimi ynë për qytetarët Europianë”. Sa më lartë,citime nga mesazhi i përcjellë nga Kryetari i Partisë Popullore Europiane, Manfred WEBER, zëri politik që shpreh vullnetin e fuqishëm për të vijuar jetësimin e ëndrrës Europiane, përmes angazhimeve në nivel Europian përtej specifikave dhe dinamikave të politikës kombëtare të vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian; -WEBER shpreh koherencën dhe qëndrueshmërinë, të pandryshuara varësisht rezultateve negative në zgjedhje të ndryshme kombëtare në periudhën politike 2020-2021.

 

 

Zëri dhe mesazhi politik i Kryetarit të Partisë Popullore Europiane, Manfred WEBER nuk mund të ishte i i plotë në përcjelljen drejtë publikut Europian, pa mesazhin energjik, të zgjidhjeve të së ardhmes të fytyrës politike-institucionale të Bashkimit Europian, “sot” dhe potencialisht “nesër” të kandidates së shpallur nga Partitë Popullore Europiane, Ursula VON DER LEYEN.

Duke evokuar modelet politike të shkëlqyera Europiane të së shkuarës së largët apo më të afërt politike, gjeografikisht perëndim-lindje, De GASPERI, SCHUMAN, ADENAUER, HAVEL apo WELESA, zonja VON DER LEYEN citoi thënien e Konrad ADENAUER si vijon; “ Bashkimi Europian ishte një endërr për disa. I njëjti u shndërruar në shpresë për shumë ndër ne. Sot është një nevojë për të gjithë ne”.

Në vijim të mesazhit të saj, angazhimi në emër të Partive Popullore Europiane në mbrojtje të Bashkimit Europian është solid dhe PPE do të mbrojnë politikisht si të pacënuar, shpirtin dhe misionin politik të Europës së Bashkuar.
Zonja VON DER LEYEN theksoi si vijon;” Europa jonë, në paqe dhe e bashkuar po sfidohet si kurrë më parë nga populistët, nacionalistët dhe demagogët, të majtë apo të djathtë ekstremë. Pavarësisht emrave politikë ekzistues si AFD apo të tjerëve të ndryshuar, misioni për shkatërrimin e vlerave të Europës mbetet i njëjtë. Por, Partitë Popullore nuk do ta lejojnë të ndodhë dhe mesazhi nga Bukureshti është i qartë mbi vendosmërinë për një Europë të fuqishme, të sigurtë, paqësore, prosperitet, demokratike dhe të bashkuar”.

Në vijim të fjalës së saj, zonja VON DER LEYEN shprehu angazhimin politik të Partive Popullore Europiane për mbështetjen e pandërprerë ndaj Ukrainës dhe të vijuar jetësimin e endrrës Europiane për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duke theksuar si vijon; “ Nuk mund të ketë asnjë dyshim. Europa do të qëndrojë me Ukrainën , pa ndërprerë dhe deri kur të jetë e nevojshme me më shumë ndihmë dhe mbështetje financiare dhe ushtarake. Pavarësisht shkatërrimit Rus, të qyteteve , kopshteve, spitaleve, ëndrra Europiane nuk mund të shkatërrohet. Nuk mund të shkatërrohet ëndrra për një Ukrainë të lirë dhe në prosperitet, ëndrra në zemrën e Bashkimit Europian”. Në të njëjtën kohë, zonja VON DER LEYEN konfirmoi vijimin e angazhimit për konsolidimin e rrugës Euro-Integruese duke theksuar; “ Sot, ëndrra jeton gjithashtu në Moldavi, Gjeorgji dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Bashkë, do ta shndërrojmë këtë ëndërr në realitet dhe ky mbetet qëllimi i Partive Popullore Europiane”.

Pas vizionit të shprehur për Europën e re të ndërtuar mbi bazat konsoliduese të një shkuare politike të shëndetshme, angazhimit të përsëritur mbi zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian, Presidentja aktuale e Komisionit Europian dhe kandidatja e përcaktuar, Ursula VON DER LEYEN do të shpaloste elementët kryesorë të “Manifestit Politik 2024”, një program i qartë parashtrues mbi sfidat e brendshme të vazhdueshme në nivel të Unionit, përkatësisht mbi “Marrëveshjen e Gjelbër”, “Emigracionin dhe kontrollin e kufijve” dhe “Mbrojtjen”.

“Kontrolli dhe Forcimi i Kufijve” mbetet aspekti i angazhimit konstruktiv në përballimin e krizës së emigrantëve, ku “sulmi”, refuzimi dhe mohimi i çështjes përmes inkurajimit të secilës remineshencë ksenofobike nuk mund të jenë në funksion të vizionit të një Europe përfshirëse. Në “Manifestin Politik 2024” parashikohet fuqizimi i Agjencisë Europiane të kontrollit të kufijve, “FRONTEX”, përkatësisht në rritjen e numrit të punonjësve dhe rritjen e kompetencave ku sfida mbetet verifikimi nga zyra e “ Avokatit Europian të Popullit” mbi harmonizimin e planit me parimet e të drejtave të njeriut. Presidentja VON DER LEYEN do të theksonte si vijon; “ Së bashku kemi propozuar paktin mbi migracionin dhe azilimin. Ne forcuam mbrojtjen e kufijve Europianë dhe do vijojmë ta bëjmë. Ne kemi përmbushur në të shkuarën detyrimet ndërkombëtare, i përmbushim sot dhe do vijojmë ti përmbushim në të ardhmen. Por “jemi ne” , Europianët, që vendosim cilët vijnë në Europë dhe në cilat rrethana. Kjo nuk mund të vendoset nga krimi i organizuar i kontrabandistëve dhe trafikantëve”.

“Marrëveshja e Gjelbër” është një angazhim i rëndësishëm i përmendur në fjalimin e Ursula VON DER LEYEN, pjesë e “Manifestit Politik 2024”. Vizioni i Partive Popullore Europiane është inkurajimi i teknologjisë dhe inovacionit të krijuar në Europë, i barazlarguar dhe në garim të shëndetshëm me Kinën dhe me rritjen e mbështetjes financiare ndaj fermerëve, sektorit të peshkimit dhe sipërmarrjeve të vogla për të përshtatur ndryshimet që burojnë nga “Marrëveshja e Gjelbër”.
Në përputhje me vizionin e Partive Popullore Europiane, VON DER LEYEN theksoi si vijon; “ Ne ishim të parët që e shndërruam “Marrëveshjen e Gjelbër Europiane” në një marrëveshje ekonomike, industriale dhe shoqërore duke e orientuar kah investimeve dhe inovacionit”.
Europa u sfidua me energjinë si shkak i konfliktit të shkaktuar nga Rusia, por qëndresa Europiane tejkaloi nevojën dhe kushtëzimin Rus ku sipas VON DER LEYEN ; “ Ne po investojmë fuqimisht në energjinë e pastër dhe për herë të parë, ne kemi prodhuar më shumë elekricitet nga era dhe dielli se nga gazi. Rrjedhimi i kësaj politike investimesh shënon krijimin e vendeve të reja të punës, uljen e çmimit të energjisë dhe të nivelit të ndotjes, gjithashtu”. Përtej parashtrimit të sukseseve të deritanishme, ambicia e shpallur mbi krijimin në Europë të industrisë së teknologjisë së pastër duke u mundësuar kompanive Europiane zhvillimin e mëtejshëm përmes proçedurave shtetërore të lehtësuar dhe më pak kontrolleve. Duke ndjekur vizionin e përcjellë më lartë, Ursula VON DER LEYEN do të theksonte si vijon; “Ne ofrojmë zgjidhje pragmatike, jo ideologjike. Ne do të ofrojmë vëmendje të veçantë për sipërmarrjet e vogla Europiane, të cilat janë shtylla e ekonomisë sonë sociale. Vizioni ynë është që tu japim kompanive lirinë për inovacion dhe vende të reja pune”.
Problematika e njohur e fermerëve nuk mund të ishte jashtë vëmendjes së punimeve të Kongresit të Partive Popullore Europiane, ky grupim politik ka vijuar përpjekjet për adresimin e problematikave të fermerëve Europianë ku VON DER LEYEN theksoi qartë; “ Fermerët po flasin për sfidat e vazhdueshme që përballen. Kostot e rritura dhe shitjet nën kosto të prodhimeve nga fermeri Europian janë të papranueshme. Siguria e ushqimit tonë varet nga siguria dhe mirëqënia e fermerëve tanë, për këtë arsye, sistemi duhet të ridimensionohet në favor të punës së fermerit dhe Partitë Popullore Europiane do të qëndrojnë në mbështetje të fermerëve”.

Mbrojtja dhe Siguria përbëjnë një aspekt të rëndësishëm të “Manifestit Politik 2024” në koherencë me sfidat e reja që imponon konteksti i ri gjeopolitik, kryesisht si shkak i agresionit të Kremlinit , i tendencave zgjeruese të fuqive të tjera apo dhe i paqartësive politike të papritura që mund të imponojë e ardhmja në skenat e brendshme politike kombëtare të vendeve aleate.

“Siguria dhe Mbrojtja” janë të ndërlidhura ku e para nuk mund të jetë e realizuar në mungesë të instrumentave që formësojnë të dytën. Siguria dhe Mbrojtja konsolidohen përmes një plani të qartë të shprehur nga VON DER LEYEN si vijon;” Në qendër të vizionit duhet të jetë parimi “ shpenzo më shumë, shpenzo më mirë, shpenzo për Europën, si momenti fillestar për konsolidimin e aftësive ushtarake dhe kapaciteteve operacionale, gjithashtu”.
Çështja e Mbrojtjes pritet të jetë thelbësore gjatë mandatit 5-vjeçar ku vizioni i Partive Popullore Europiane mbetet shtimi i portofolit institucional të Komisionerit për Mbrojtjen, një pozicion hierarkik përtej emërtimit, por si instrument inkurajues për konsolidimin dhe jetësimit të qëllimit për një ushtri Europiane. VON DER LEYEN nënvizon;” Partitë Popullore Europiane janë nismëtarët e idesë së ushtrisë Europiane, e njëjta do të jetësojë “Bashkimin për Mbrojtjen”. Demokracia, Prosperiteti dhe Siguria nuk mund të qëndrojnë të konsoliduar nëse një prej tre elementëve pushon së funksionuari apo cënohet”.

Kongresi i Partive Popullore Europiane është një ndër ngjarjet më të rëndësishme në Europën politike, kongresi politik-programatik është vijimi i angazhimeve për Europën, për një Europë më aktive në politikën e jashtme dhe më e qartë në politikën e brendshme; një Europë kolegjiale dhe gjithë-përfshirëse, por dhe vepruese kur kolegjialiteti dhe gjithë-përfshirja bllokojnë aspiratat-propozimi mbi heqjen e mekanizmit të vetos kur janë në pyetje sanksionet ndaj regjimeve agresore.
2024 është një vit botëror i zgjedhjeve, rezultatet politike të një pjese të tyre përfshirë dhe të tillat për Parlamentin Europian do të ndikojnë në konfigurimin e politikës botërore, ku vijimësia dhe shpejtësia e proçeseve do të varet nga veprimi politik, vullneti i liderëve të rinj apo aktualë, negociatat e vazhdueshme të cilat do të udhëhiqen nga parimi i mbrojtjes së aleancës perëndimore. Përtej faktit që matjet e ndryshme publike vijojnë të nxjerrin Partitë Popullore Europiane si partia e parë në përbërjen e re të Parlamentit Europian, pritet që shumëçka të jetë objekt i negociatave pas-zgjedhore mes grupeve politike në varësi të rezultatit dhe përbërjes së Parlamentit Europian.
Partitë Popullore Europiane kanë shumicën në Parlamentin Europian prej vitit 1999 dhe kanë shenjuar shumëçka mbi Europën e sotme, përfshirë zgjerimet dhe nismat e ndryshme politike në funksion të konsolidimit të mëtejshëm tëBashkimit Europian. Në përgjegjësinë e grupit më të madh politik, Partitë Popullore kanë dëshmuar lidership për Europën duke garantuar kompromise dhe marrëveshje që kanë pasur në qendër përkatësisht shpirtin dhe interesin Europian; Përtej një spektri të gjerë politik dhe personaliteteve Europiane tej të djathtës politike Europiane, besimi në shumicë nga qytetarët Europiane në dekada ka bërë që
Partitë Popullore Europiane të jenë sot në krye të përpjekjeve politike për mbrojtjen e Bashkimit Europian në secilin dimension të nocionit përkatës-mbrojtjen e interesit të secilit qytetar Europian me përgjegjshmëri dhe frymën e përgjegjësisë së një ëndrre Europiane vijuese varësisht secilës dinamikë penguese.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?