Rama: Shqiptarët të mos harrojnë, pa SHBA s’do kishte Kosovë të pavarur
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se SHBA-të nxisin procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
SHBA-të kanë qenë janë dhe do mbeten mbështetëse të palëkundura të procesit të njohjeve të Kosovës. Është mirë që shqiptarët kudo ku janë, duke filluar nga ata në Kosovë, të mos harrojnë se pa SHBA-të nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës. Interesi i SHBA për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri e Kosovë nuk është interes i dorës së dytë dhe nuk është interes i ndarë.
Padiskutim që ne jemi të keqardhur sa herë që shohim hapa pas dhe padiskutim që jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e këtij dialogu, për dhimbjen e plagëve të një tragjedie jo shumë të largët të atyre që jetojnë në Kosovë dhe jemi të vetëdijshëm se në rastet si ai i sulmit në Banjskë, Serbia nuk e ndihmon siç duhet procesin.
Por jemi të vetëdijshëm po ashtu se Kosova duhet të përparojë edhe unilateralisht nëse është nevoja, në plotësimin e kërkesave të dialogut, të cilat bëjnë të mundur krijimin e një konteksti që e ngre lart Republikën e Kosovës si një republikë që meriton gjithë mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë, pa të cilët, e ardhmja bëhet shumë më e largët dhe e tashmja e ndërlikuar. Përsëris apelin për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap të pakonsultuar me aleatët tanë strategjikë, sepse është në interesin e tyre dhe të aleancës”, tha Rama.
