Teknologji

Drejt 5G, AKEP hap këshillimin publik për dhënien e frekuencave të para

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka nisur procedurën e këshillimit publik për dhënien e të drejtëve të përdorimit të frekuencave në brezin 3.5 GHz.

Këto do të jenë frekencat e para që do të përdoren për ofrimin e teknologjisë së komunikimit të lëvizsshëm 5G në Shqipëri.

Në vendimin për “Miratimin për këshillim publik të Dokumentit “Mbi dhënien e të drejtave të përdorimit në brezin efrekuencave 3400-3800 MHz (3.5 GHz)”, Këshilli Drejtues shprehet se në fund të vitit të kaluar, përkatësisht në muajt nëntor dhe dhjetor, operatorët One Albania dhe Vodafone Albania kanë paraqitur me shkrim pranë AKEP shprehjen e interesit për brezin në fjalë.

Sipas ligjit “Për komunikimet elektronike”, nëse AKEP, në bazë të vlerësimit të tregut, konsideron se interesi për brezin e kërkuar të frekuencave mund të tejkalojë disponueshmërinë e frekuencave në këtë brez, si dhe për garantimin e një përdorimi efektiv të tyre, ai zhvillon një proces këshillimi publik me palët e interesuara, lidhur me kushtet e përdorimit të këtij brezi frekuencash dhe procedurën që mendohet të zbatohet për dhënien në përdorim të tyre.

 

Mbi këtë bazë, ditën e mërkurë (7 shkurt), AKEP miratoi nisjen e konsultimit publik për këtë proces, që do të zgjasë 60 ditë.

 

Dokumenti i konsultimit publik nuk përmban propozime për vlerën minimale për çdo njësi spektri që do të jepet në përdorim (zakonisht çmimi përcaktohet për çdo 1 MHz spektër), por subjektet e interesuara pyeten për çmimin që janë të gatshëm të paguajnë.

Dokumenti nuk përmban as propozime për mënyrën se si do të ndahet spektri dhe për numrin e të drejtave të përdorimit që mund të jepen.

Në praktikën e vendeve të BE-së dhe të rajonit, numri i të drejtave të përdorimit në brezin 3.5 GHz është i ndryshëm, përfshi edhe dhënien e të drejtave të përdorimit në nivel lokal, madje edhe për ndërtimin e rrjeteve private të komunikimit.

Në teori, procesi krijon hapësira edhe për hyrjen e operatorëve të rinj në tregun celular. Megjithatë, duke pasur parasysh përmasat e vogla të tregut shqiptar, këto shanse janë kryesisht teorike, ndaj pritet që edhe në frekuencat e reja të ofrojnë shërbim dy operatorët celularë ekzistues.

Numri i të drejtave të përdorimit dhe çmimi i kërkuar pritet të përcaktohet pas mbylljes së konsultimit publik.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

PANELE DIELLORE-Solares Albania