Politike

Berisha: PD fitoi në vitin 1992 se ishte e pamposhtur dhe do fitojë përsëri

KAON

Berisha: PD fitoi në vitin 1992 se ishte e pamposhtur dhe do fitojë përsëri, sepse qëndron edhe sot e pamposhtur

Të dashur qytetarë dhe qytetare, të nderuar qëndrestarë, misionarë të shpresës, shpëtimtarë të Shqipërisë!
Ditë të bardha po vijnë për demokracinë shqiptare, ditë të bardha po vijnë për Shqipërinë, ju misionarët e shpresës po i sillni ato, nderim paçi gjithmonë!
Po pse e them unë këtë? E them këtë sepse së pari, historia ka provuar se misionarët nuk mposhten kurrë.
Së dyti, e them këtë sepse historia e PD-së, partisë së idealeve tuaja, aspiratave tuaja, është historia e forcës politike të misioneve të pamundura.
Për këtë, më lejoni t’ju kujtoj vetëm dy raste kur PD ka sjellë dritën nga errësira për Shqipërinë, ka sjellë ditët e bardha për shqiptarët.
Herën e parë ishte viti 1992. Në atë kohë ishim një parti pak më shumë se 1-vjeçare. Nuk kishim asgjë. Pas 45 vitesh sundim të Partisë së Punës, pushteti dukej i pamundur. Madje zgjedhjet e para, ato të vitit 1991, Ramiz Alia i grabiti dhe e paraqiti veten si fitimtar vetëm e vetëm që të ruante pushtetin komunist. Ato zgjedhje ishin si dy pika uji me zgjedhjet e 14 majit të vitit 2023.
Në fillim të marsit të vitit 1992, Gallupi na nxirrte 27 pikë pas PS. Internacionalje Socialiste evropiane dhe botërore u ngrit e gjitha në këmbë për të mposhtur PD-në dhe mbajtur Ramiz Alinë në pushtet. Por çfarë ndodhi? Më 22 mars të vitit 1992, PD realizoi të pamundurën, realizoi ëndrrën. Ne fituam në vitin 1992 dhe kështu sollëm për herë të parë arritjen e parë monumentale që ndau epokat në Shqipëri. Ne sollëm demokracinë dhe sistemin demokratik.
Unë e di se ka skeptikë vendas dhe të huaj, që do u thonë mos e merrni shembullin e viteve 1991-1992, injorojeni, Berisha është nostalgjik, sot jemi 33 vite larg.
Po, kjo është e vërtetë. Po PD fitoi atëherë se ishte e pamposhtur dhe do fitojë përsëri, sepse qëndron edhe sot e pamposhtur.

Më 5 shkurt u firmos mrekullia e re e Partisë Demokratike, bashkimi i demokratëve

Bismarku ka një shprehje që njihet mirë në politikë, ai thotë se politika është arti i realizimit të së mundshmes.
Por PD ka provuar se politika është arti i realizimit të pamundshmes, sepse ne kemi realizuar të pamundshmen jo njëherë, por dy herë dhe tani do realizojmë një herë të tretë.
Ne do fitojmë sepse ju demokratë, misionarë të pamposhtur me 5 shkurt, me betejën tuaj pa kthim, ju firmosët mrekullinë e re të PD, bashkimin e demokratëve.
Ditën kur pala tjetër si përgjigje ndaj akuzave lemeritëse të Arben Ahmetajt, zgjodhi omertan, kodin e mafie.
Miq mos harroni, kujtoni pak Damian Gjiknurin para gazetarëve. Ajo e pyeste për intervistën e Arben Ahmetajt, ai bënte mmmm. Kishte frikë se po i çelet goja.
Dhe meqë jemi këtu, le t’u bëjmë pak një pyetje Batonëve, Mjerove dhe Bolinove: Mor të nderuar, meqë Arben Ahmetaj nuk tha gjë, pse janë strukur, pse kanë heshtur, pse zbatojnë kodin e omertës hajdutët Edi Rama, Veliaj dhe të gjithë skapistët, ministrat e tij.
Pse nuk thanë një fjalë? Pse nuk hodhën poshtë akuzat e tmerrshme? Sepse ato janë të vërteta.
Pra, ditën kur Rruga e Shpresës lebetiti Edi Ramën dhe organizatën e tij kriminale, ju udhëhoqët dhe thyet çdo tabu në politikën shqiptare.
Më 5 shkurt, ju të dashur miq bëtë histori. Ju shembët një nga tabutë më të zeza të trashëguara nga e shkuara jonë diktatoriale.
Politika shqiptare nuk është më e njejtë që nga 5 shkurti, sepse ju dëshmuat se ndonëse mendoni ndryshe, ndonëse kemi kritikuar njëri-tjetrin, ndonëse kemi pasur përplasje me njëri-tjetrit dhe jemi parti e individit të lirë, kur vjen puna te interesi kombëtar, te vlera e lirisë, te demokracia, ne bëhemi një dhe i dalim zot vendit, i dalim zot pluralizmit, i dalim zot Shqipërisë.
Sepse miq, kjo është demokracia, ky është pluralizmi.

ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?