Gjykatësi federal shtyn pa afat gjyqin në apel për ish-presidentin Donald Trump
Një gjykatëse federale shtyu zyrtarisht pa caktuar një datë të re gjyqin që do të mbahej në mars ndaj ish-presidentit Donald Trump, me akuzat se u përpoq të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, ndërkohë që një apelim i rëndësishëm i tij vazhdon të mbetet pa përgjigje në një gjykatë apeli.
Nuk është e qartë se kur mund të marrë vendim trupa gjyqësore e përbëre nga tre gjykatës, por nëse vendimi është në favor të vazhdimit të hetimeve të prokurorisë, atëherë pritet një tjetër apelim nga ekipi ligjor i zotit Trump, duke sjellë kështu shtyrje të mëtejshme.
Për të dyja palët, momenti kohor është shumë i rëndësishëm. Ish-presidenti Trump, i cili përballet me katër procese gjyqësore dhe 91 akuza penale, kërkon t’i shtyjë çështjet gjyqësore ndërkohë që gëzon statusin e kandidatit kryesor për president në garën brenda Partisë Republikane. Ndërkaq ekipi i prokurorit Smith shpreson në realizimin e një procesi përpara zgjedhjeve të nëntorit. Nëse zoti Trump rizgjidhet ndësa çështja gjyqësore vazhdon, ai teorikisht mund të udhërojë Departamentin e Drejtësisë të tërheqë akuzat dhe mund të falë veten.
Ndërkohë në gjyqin tjetër në Georgia, prokurorja e kontese së Fulton që ndiqte gjyqin kundër Trump për mashtrim elektoral në këtë shtet, ka pranuar se ka pasur marrëdhënie personale më prokurorin special Nathan Wade, të emëruar prej saj për çështjen në fjalë, ç’ka ka ndezur debatet në lidhje me etikën profesionale në sistemin e drejtësisë të këtij shteti federal.
“Ky gjyq është një mashtrim dhe pa kredibilitet. Fani Willis më hetoi në bashkëpunim me Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Drejtësisë dhe kështu, duke sulmuar personin e rangut më të lartë dhe kandidatin republikan, ajo i dha dashnorit të saj pothuajse një milion dollarë. ”, shkruan Trump në rrjetin social Truth. Referenca ka të bëjë me tarifat e paguara nga Prokuroria për prokurorin special Wade për të mbështetur prokurorinë në gjyqin kundër ish presidentit.
