Shfaqja “Nëna”, një dramë mbi gruan mes ankthit e ikjeve
Në një skenografi bashkëkohore që luan me dritëhijet e minimalizmin, një grua me shikim të përhumbur vret kohën duke komanduar një robot dyshemeje. E ulur dhe e dorëzuar, në qendër është Ana, grua e vetmuar dhe një nënë lënë vetëm që vuan boshin e krijuar në jetën e saj, ndërsa i biri ka ikur nga shtëpia dhe bashkëshorti, nuk është i pranishëm.
Rreth saj janë tre personazhe që e nxisin dhimbjen ose e pësojnë atë A është ky njeriu modern që mbetet vetëm pasi e kanë shterur të gjithë- mes ankthit e boshit që na lënë ikjet a braktisjet dhe historitë që mbarojnë, dashuritë që mbarojnë, marrëdhëniet që mbarojnë?
Vepra “Nëna” e francezit Florian Zeller është vënë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental me regjinë e Met Xhelilit dhe interpretimin e aktorëve Ema Andrea, Helidon Fino, Xhuliano Brisku dhe Enisa Hysa.
Për 1 orë e 30 minuta, Ema Andrea vesh jetën e Anës, një personazh kompleks që vuan mallin e dashurinë për të birin, që e përjeton ikjen e tij si tradhëti dhe shpërfaq devijimet patologjike që e shoqërojnë, të nxitura jo pak edhe nga mungesa e vëmendjes nga i shoqi, aq sa shpesh biri dhe burri ngatërrohen në mendjen e saj të lodhur, si skena të përsëritura të të njëjtit çast, pambarimisht.
Luhatjet emocionale dhe krizat ekzistenciale përcillen me besnikëri, ndërsa Andrea ka mundur të sjellë plastikën dhe gjithë ngjyresat e një gruaje në krizë përmes interpretimit që prek sa kufijtë sublimë të lumturisë, po aq ekstremin fatal që të çon drejt fundit. Skenografia pothuaj nuk ndryshon ndërsa koncepti regjisorial përqëndrohet te loja e aktorëve dhe dinamika e tyre që arrijnë brenda një mizaskene të përçojnë dy kahe të ndryshme emocionale.
