Berisha: Vitet më të rënda për demokratët kanë qenë vitet ‘13-‘21.
Berisha: PD ia doli në një mision të jashtëzakonshëm të faktohet, të dëshmohet si parti e misioneve të pamundura
Të dashur ish-studentë të dhjetorit ‘90, që me guximin tuaj, me vizionin tuaj, ndatë historinë dhe epokat.
Vepra juaj është një nga aktet më madhore në historinë e lirisë së shqiptarëve, është akti më madhor pas pavarësisë së Shqipërisë.
Ju përshëndes sot dhe përulem para jush me nderimin më të pakufishëm.
Të dashur miq të mi, themelues të PD-së, mbështetës të saj në orët e para. Kam kënaqësinë që u shoh sot këtu, ju përshëndes me shumë mirënjohje për kontributin tuaj.
Përshëndes të gjithë ata që u bashkuan natën apo ditët e dhjetorit ’90 dhe vendosën më 11 dhjetor themelimin e PD. Ata ishin studentë, intelektualë, por edhe punonjës, të cilët kishin dy gjera të përbashkëta: guximin të vendosnin për krijimin e një partie, që do qëndronte karshi Partisë së Punës së Shqipërisë, e cila edhe një javë pas themelimit të saj, do shpallte doktrinën terroriste marksiste-leniniste si doktrinë të saj.
Por ata kishin gjithashtu edhe individualitetin e tyre. Njerëz me kontribute në fushat nga vinin, njerëz të cilët dhanë një ndihmesë të madhe. Dhe ai individualitet ishte në vlerësimin tim, jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ruajtur shpirtin demokratik të PD, e cila themelohej në kushtet e një monizmi të plotë, total, ekstrem.
Dua të përshëndes të gjithë drejtuesit aktualë të PD, të cilët kanë një barrë po kaq të rëndë dhe të vështirë sa drejtuesit e saj në themelim. Atëherë ne përballeshim në të vërtetë me diktaturën më të egër të kohës, diktaturë e lodhur ishte ajo, diktaturë e drobitur, e dëshpëruar ishte, por përsëri diktaturë që ekzekutonte në kufi çdo javë të rinj dhe të reja, sepse niseshin për botën e lirë.
Pra, një diktaturë që në çdo moment mund t’u rikthehej metodave më të egra, por anëtarët, simpatizantët, drejtuesit e PD, qëndruan në një betejë, themeluan dhe konsoliduan PD-në, e cila udhëhoqi një front antikomunist.
Do u them këtu të vërtetën, kur ajo u themelua, përveç shqiptarëve që kishin vuajtur dhe që prisnin me padurim të shihnin dhe ata ndryshimet që kishin ndodhur në vendet e tjera, pakkush mund t’u besonte këtyre njerëzve të panjohur, pakkush mund të mendonte se këta do përmbysnin diktaturën kundër të cilës u ngritën.
Por PD ia doli në një mision të jashtëzakonshëm të faktohet, të dëshmohet si parti e misioneve të pamundura.
Ajo rrëzoi me 22 mars dhe arkivoi në histori pushtetin 46-vjeçar të Partisë së Punës.
Atë ditë që u mblodhëm në shesh, e vërteta se përveç frymëzimit, përveç idealeve, ne nuk kishim projektin e plotë të asaj që do ndërtonim.
Pse nuk e kishim atë? Sepse ne dilnim nga një izolim i plotë total. Dilnim si njerëz që nuk kishin jetuar një ditë në liri dhe unë po ua përsëris një gjë që mund ta kem thënë herë tjetër, kur dilja jashtë shtetit, qëndroja i skllavëruar dhe kthehesha këtu i skllavëruar. Kjo ishte gjendja jonë kur ne fituam mbi diktaturën.
Por njerëzit me vullnet, njerëzit me ideale, njerëzit të cilët u përpoqën me të gjithë energjitë tona të ndërtojmë atë rend që ishte jetik, të ndërtojmë rendin të cilin shqiptarët nuk e kishin njohur ndonjëherë në histori.
Me një angazhim të qytetarëve shqiptarëve, të demokratëve, ia dolëm që Shqipëria nga vendi më i hiperkolektizuar i planetit, në katër vite të kishte të prodhimit të brendshëm nga sektori privat.
Ia dolëm të ndërtojmë institucionet kushtetuese të shtetit demokratik.
Ia dolëm të mbjellim shpresën.
Në vitin 1992, 204 dollarë ishin të ardhurat për frymë. Por ato u dyfishuan nga viti në vit. Dhe ky dyfishim nuk ishte i madh si shumë, por si shpresë ishte shumë i madh.
Rritëm nga viti në vit besimin e shqiptarëve te Shqipëria.
Sot nuk ka forcë, nuk ka regjim, nuk ka diktaturë që mund të na rezistojë ne në betejën tonë me mosbindje civile pa kthim.
Më 21 dhjetor të vitit 1991, në një Ballkan që akoma ishte nën diktatura dhe regjime të vjetra, ne u ngritëm nga ai shesh dhe deklaruam se çështja jonë kombëtare do të ishte ylli ynë polar. Shpallëm interesin kombëtar si yllin polar të PD-së.
Nuk ishte e thjeshtë, u them unë ju se të tjerë përreth nesh këtë nuk e pranonin kurrë. Por ne nuk duhet të ishim në qoftë se nuk shpallnim çështjen kombëtare dhe interesin kombëtar si yllin tonë polar.
Nuk u trembëm, i qëndruam këtij parimi dhe në bashkëpunim të ngushtë me ish-presidentin e Kosovës, të pavdekshmin Ibrahim Rugova, udhëheqës të tjerë politikë të shqiptarëvë në rajon, ne ia dolëm që çështjen kombëtare ta shndërrojmë në çështje axhende të gjithë kancelarive dhe institucioneve të madha të botës.
PD pas vitit 2013, i ra vizë kësaj çështje dhe ndoqi me përpikmëri qëndrimet antikombëtare, antishqiptare të Pashiqit të Tiranës, Edi Rama.
Përsëri forcë politike e idealeve, në kushte shumë të vështira, jashtëzakonisht të vështira, unë jam dëshmitar se sa e zorshme ka qenë për secilin prej jush të mbështesni rithemelimin në kushtet kur korrupsioni transnacional u përdor për t’i dhënë colpo di grazia PD-së.
Kjo nuk ndodhi se ju ishit besnikë të idealeve tuaja. U ngritët dhe sot jemi në këmbë. Sot jemi më të vendosur se kurrë për të bërë këtë betejë gjer në fitoren e PD-së.
Sot jemi 33-vjeçarë që të gjithë, jemi në moshën më të fuqishme të betejës pa kthim.
Sot jemi 33 herë më të dijshëm, më vizionarë, më të vendosur, për të ecur të sigurt drejt fitores. Sot ne e duam Shqipërinë 33 herë më shumë se ç’e kemi dashur në vitin 1990.
Sot e duam lirinë 33 herë më shumë se në vitin ’90, kur nuk e njihnim.
Kështu që sot nuk ka forcë, nuk ka regjim, nuk ka diktaturë që mund të na rezistojë ne në betejën tonë me mosbindje civile pa kthim.
Por sot, ne të gjithë demokratë dhe demokrate, kudo që jemi, jemi 33-vjeçarë, por betojën e fitojmë me 20-vjeçarët, me 22-vjeçarët, e fitojmë me të rinjtë shqiptarë.
Ata kanë ikur shumë, kanë ikur këto 10 vite qindra e mijëra nga Shqipëria, por prapë qindra e mijëra janë në Shqipëri.
Nga t’ia nisim? Tek fëmijët tanë, kudo që janë, në ballë të kësaj beteje.
Nga t’ia nisim? Tek fëmijët e popullit opozitar, në ballë të kësaj beteje.
Nga t’ia nisim? Te çdo i ri dhe e re e këtij vendi që beson në një Shqipëri europiane.
Pra, beteja pa kthim që ka nisur në parlament është drita në fund të tunelit, që duhet të ndriçojë mendjen, zemrën, shpirtin e çdo demokrati dhe demokrateje.
Duhet të bëjmë çdo gjë, t’i marrim me vete, t’i vendosim në piedestal të rinjtë e këtij vendi.
Nuk ka forcë në botë që u reziston atyre.
Ndaj dhe njëherë, duke u uruar gëzuar këtë 33-vjetorin, u bëj thirrje të jetë kjo një ditë betimi për ne dhe për çdo demokrat, betejë pa kthim deri në fitoren tonë.
ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE
