“DJEPI I HËNËS”-Poezi nga Skënder Rusi
DO GJENDET NJË DORË
Do gjendet një dorë
të m’i mbyllë sytë,
Ditën apo natën,
kur të jem nisur për larg,
Ndryshe mund të dukem
një i vdekur i frikshëm,
Që mund të ngrihet në këmbë
nga çasti në çast!
Më mirë le të jem
me sy të mbyllur,
Të mos i shoh si qajnë
Tartufët e gëzuar!
Ata mund të kërkojnë
të mbajnë dhe fjalime,
Por unë veç heshtjen
për të folur e dua!
Do të gjendet një dorë
më tepër se e dashur,
Të m’i mbyllë sytë
kur për larg të jem nisur!
Kjo e gjitha ngjan
si në një teatër,
Ka rënë perdja ,
dritat duhen fikur!
ZGJATA DORËN
Zgjata dorën
dhe mora pak vjeshtë,
Një grusht me ngjyra para se të ik!
Me të mbështolla vetëm zemrën,
Trupi më mbeti prapë lakuriq!
Zgjata dorën
dhe mora pak vdekje,
Një grusht me gjethe para se të ik!
Me to mbështolla vetëm se shpirtin,
Trupi më mbeti prapë lakuriq!
Zgjata dorën…
Por vjeshta, më, s’ish!
BUKURIA
Dhe prapë ti mbetesh e bukur,
Bukuri që askujt nuk ia dhe,
Tani që ujrat s’janë më të turbullta
Ty të pëlqen të jesh atje!
Të bukura janë vajzat si ti
Po edhe ëndrrat të bukura i kemi,
Në këtë botë ku s’të kupton asnjeri,
S’dihet për ku nisemi edhe ku vemi!
Në këtë botë ku jemi e s’jemi,
Ku ka më shumë urrejtje, se sa dashuri,
Ku ka më tepër fjalë, fjalë, fjalë,
Ku lakohem unë, ku lakohesh ti!
Sa shumë legjenda u thurrën,
Për bukurinë që ti askujt s’ia dhe,
Do bëhet i madh njeriu i vogël,
Po gjer atëherë nuk do jemi ne!
DJEPI I HËNËS
E gjatë kjo natë,e pafund,
Më flihet po gjumi s’më zë,
Gjysmë hëna është djep që më lëkund
Shëtis nëpër qiell me të!
Dikush emrin tim prej së largu e thërret,
Po unë nuk e dëgjoj,jam shurdh,
Mua gjysmë hëna më përkund në djep,
Ndaj unë s’e tradhëtoj atë.Nuk mund!
Shkoj dhe i takoj dy kushërirat e mia,
Arushën e madhe dhe të vogël,
I marr edhe ato në djepin e hënës
Si dy cicerone të botës!
Total 0 Votes
0
0
