Vihet në sekuestro kompania e fluturimeve “Air Albania”
Kompania Air Albania, flamuri dhe krenaria e Shqipërisë siç e quan kryeministri Edi Rama, është vendosur në sekuestro për shkak të borxheve të papaguara. Në Qëndrën Kombëtare të Biznesit është depozituar një shkresë ekzekutimi nga zyra përmbarimore Bailiff Services Albania për vendosjen e sekuestros konservative mbi aksionet e Air Albania, me qëllim mostjetërsimin e tyre deri në shlyerjen e borxheve.
Sekuestro mbi kuotat është vendosur për llogari të Sinan Isik, ish numrit 2 të Air Albania. Isik ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Air Albania nga gushti i vitit 2018 deri në fund të vitit të kaluar.
Nuk dihet se sa është shuma e borxheve që Air Albania ka ndaj Isik, por në urdhrin e sekuestrimit të aksioneve thuhet se kompania nuk ka paguar detyrimin edhe pas njoftimit zyrtar.
Një kompani në terr
Financat e Air Albania u vunë në qendër të debateve publike, pas marrëveshjes së kompanisë me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare për charterin personal të kryeministrit. Nuk dihet se sa paguajnë shqiptarët për avionin kryeministror që drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka marrë hua nga Air Albania.
Opozita kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje mes disa çështjeve të tjera të nxehta, por nisma u bllokua nga maxhoranca.
Financat e krenarisë dhe flamurit janë në terr të plotë, veçanërisht me vullnetin e qeverisë. Dhe tani mbi të po bien urdhrat e sekuestrove.
/Kapitali.al