SPRINT NEWS ALBANIA

Politike

Balla-opozitës: A thua se u djeg barku juve për Kosovën

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit tha se Shqipëria e përfaqësuar denjësisht nga qeveria e Ramës ka qenë dhe do të jetë përkrahë Kosovës.

Ndër të tjera Balla tha se orientimi i Kosovës dhe Shqipërisë drejt Perëndimit është e ardhmja për sigurinë. Ndërsa në lidhje me miratimin e Rezolutës për Kosovës, ministri i Brendshëm tha se ky është hapi i duhur i Shqipërisë.

“Më 24 Shtator njësi paramilitare serbe, dukshëm me mbështetje logjistike politike dhe më pas edhe me nderime shtetërore nga Serbia, sulmuan Republikën e Kosovës sovranitetin e saj, dhe mbi të gjitha kthyen pas një proces thelbësor dialogu, të udhëhequr nga bashkësia ndërkombëtare për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Shqipëria dhe Kuvendi sot, e dënon ashpër, me forcën më të madhe, sulmin e dhunshëm të armatosur ndaj Republikës së Kosovës, më 24 shtator.

 

 

Ky sulm ishte dhe është një akt kriminal dhe i rrezikshëm, agresioni kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, rendit dhe sigurisë së Kosovës. Ai është, gjithashtu, një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë, me pasoja direkte për Evropën tonë të përbashkët.
Vrasja e një oficeri të policisë së Kosovës në krye të detyrës, e bëri edhe më tragjik, edhe më të dhimbshëm këtë akt agresioni. Shqipëria e mbështet fuqishëm popullin dhe Qeverinë e Kosovës, të cilët sot po përballen me tentativa të rrezikshme për të destabilizuar Republikën e Kosovës, ndërkohë që bëjnë përpjekje për të ndërtuar një të ardhme evropiane të begatë për të gjithë qytetarët e saj.
Qëndrimi zyrtar i Shqipërisë përmes Kryeministrit Edi Rama, Qeverisë së saj është qëndrimi i vetëm i duhur që duhet dhe mund të mbajë Shqipëria.

Ka ca këtu tek ne, që u dëgjuan dhe nuk hezituan edhe sot, ca gjoja patriotë të mëdhenj, edhe në këtë sallë që nga inati i politikës së ditës, po rreken ta përdorin situatën e re të krijuar më 24 Shtator, para dhe pas, si instrument për të goditur Kryeministrin e Shqipërisë. U pa sot edhe në fjalën e shumicës së folësve në emër të opozitës. Njëri që kishte 10 minuta, harxhoi 9.30 minuta për të sulmuar Kryeministrin dhe nuk tha asnjë fjalë për të dënuar sulmin në 24 shtator.

A thua këtyre u djeg barku për Kosovën dhe vatanin?!
Ka këtu ndonjë që e ka rënduar, dëmtuar e tradhtuar Shqipërinë dhe Kosovën, interesin tonë kombëtar, sa herë i është dhënë mundësia.
Ka këtu ndonjë që patriotizmin e përdor si maskë për fshehur tradhtinë që i duket nga këtu e deri në fund të sallës.

Shqipëria e përfaqësuar denjësisht nga Qeveria e Edi Ramës, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë përkrah popullit dhe qeverisë së Kosovës, në vendimet e saj të rëndësishme që avancojnë pozitat e saj ndërkombëtare, lidhjet e forta me SHBA dhe me Bashkimin Evropian dhe përfundimin e procesit të anëtarësimit të saj në OKB, dhe njohjet e munguara ndërkombëtare.

Këtë e kemi detyrim kombëtar, politik dhe personal si çdo shqiptar.

Sa më lart të ngrihet Shqipëria në nivel ndërkombëtar, aq më e madhe do të jetë dhe forca jonë për të mbështetur Kosovën. Besoj që këtu nuk kemi dallime dhe ndasi me njëri-tjetrin.
Dhe sot, duhet ta pranojmë të gjithë, edhe ju kolegë të opozitës, nuk ka qenë kurrë Shqipëria jonë e përbashkët, në këto 111 vite, më lart se sa është sot, në atë që është skakiera ndërkombëtare.
Dhe në parantezë, mund të lindë pyetja – përpjekja për ta dëmtuar imazhin e Shqipërisë, e të përpiqesh të thërrasësh prapë protestë… dhe e përgëzoj, nuk e di si quhet kjo kryesia e re e “foltores” që e kishte rrëzuar propozimin e Berishës për të mos bërë protestë më 16, – akt pozitiv. Tregon që edhe brenda “foltores” Saliu paska kaluar në minorancë.

Diskutimi i frytshëm, hetimi i thellë, gjykimi dhe ndëshkimi i agresionit ndaj Republikës së Kosovës do të jetë dhe është një provë për Serbinë dhe gjithë demagogjinë e diplomacisë serbe, rreth përpjekjeve për dialog dhe partneritet me Bashkimin Evropian. Mbajtja e zisë për terroristët e vrarë nga policia e Kosovës në krye të detyrës së tyre legjitime, ishte një akt publik i dezertimit të Serbisë për të ecur në rrugën evropiane që formalisht ka nisur procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Me atë akt Serbia tregoi se orientimi evropian i saj, vazhdon të konceptohet në segmente të caktuara serbe, si një taktikë diplomatike për ta rifituar Kosovën me metoda të tjera të ndryshme nga paraardhësit e tyre në pushtet, duke shpresuar tek braktisja e Perëndimit ndaj Kosovës.
Për këtë arsye orientimi i fortë, i palëkundur dhe thelbësor i Kosovës dhe i Shqipërisë drejt Perëndimit, është garancia më e madhe dhe e vetme për të ardhmen e Kosovës e të gjithë kombit shqiptar.
Shqipëria e ka të përcaktuar në strategjinë e saj të sigurimit kombëtar, se vendi ynë e ka të bazuar sigurinë kombëtare tek orientimi perëndimor. Brenda këtij kuadri të sigurisë kombëtare Shqipëria ka qenë dhe do të jetë përherë në krah të Kosovës, duke ruajtur aleancën me Perëndimin dhe duke zhbërë kështu gjithë manovrat e pasuksesshme të Serbisë.

Kohët kur Shqipëria i kundërvihej embargos së Perëndimit, – apo jo Tritan, – ndaj Millosheviçit duke dëmtuar Kosovën, kanë perënduar bashkë me të gjithë ata që e kanë bërë atë akt.
Po ashtu kohët kur Perëndimi mblidhte Konferencën e Rambujesë për të shpëtuar Kosovën dhe nga Tirana vinin ulërima e protesta kundër firmosjes së Marrëveshjes së Rambujesë për t’ia lënë fitoren në tavolinë Serbisë, po ashtu kanë marrë fund një herë e përgjithmonë.

Koha e atyre që duan t’i kundërvënë Kosovën Perëndimit “në emër të nacionalizmit”, por që në fakt ndihmojnë Serbinë, edhe kjo kohë ka perënduar një herë e përgjithmonë.
Ngjarjet më të fundit janë një tregues tepër i qartë për secilin prej nesh, që nuk ka një alternativë ndaj zbatimit të sundimit të ligjit në gjithë Republikën e Kosovës. Policia e Republikës së Kosovës ka legjitimitetin e plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Dhe në fund, mendoj që edhe Kuvendi i Shqipërisë sot, duke e miratuar me votë unanime, asnjë kundër, asnjë abstenim, por të gjithë së bashku, këtë rezolutë, tashmë të prezantuar nga kolegia Kodheli, është hapi i duhur, që duhet ta bëjmë dhe natyrshëm që Kuvendi i Shqipërisë duhet të vazhdojë edhe përmes diplomacisë parlamentare, të luajë një rol më të rëndësishëm në atë që ne, ky Kuvend, duhet të bëjë për Kosovën.

Sot po përballen me tentativa për të ndërhyrë një të ardhme të begatë. Qëndrimi zyrtar i Shqipërisë përmes Ramës është i duhur. Ka ca këtu te ne, gjoja patriot të madhe që nga inati i ditës e përdorin situatën e 24 shtatorit si instrument për të goditur kryeministrin e Shqipërisë. Njëri kishte 10 minuta kohë sulmoi kryeministrin dhe nuk dënoi sulmin. Sikur iu hap barku. Shqipëria e përfaqësuar denjësisht nga qeveria e Ramës ka qenë dhe do të jetë përkrahë Kosovës.

Sa më lartë të ngrihet Shqipëria në nivel ndërkombëtar aq më e madhe do jetë mbështetja për Kosovën. Nuk ka qenë kurrë Shqipëria më lart sesa është sot. Orientimi i Kosovës dhe Shqipërisë drejt Perëndimit është e ardhmja për sigurinë. Shqipëria ka qenë dhe është përkrah Kosovës.

Kuvendi sot duke e votuar me votë unanime këtë rezolutë tashmë të prezantuar nga kolegia Kodheli është hapi i duhur që duhet të bëjmë”, tha Balla.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?