Aktualitet

“3 kumbulla dhe 3 dardha”, mesazhi që i shkoi me postë në burg për kunatin e “pentitos” së SPAK

KAON

Një kërcënim i paprecedentë ka ndodhur brenda burgut të Bradasheshit në Elbasan, pasi Arben Spahiut, i arrestuar për arsenalin e Armëve të zbuluar tek BMW X6 në muajin Shkurt 2023, ka marrë në qeli një pako të dërguar me postë brenda së cilës ishin futur tre kumbulla dhe tre dardha.

Pakoja vinte nga një person anonim dhe i adresohej jo vetëm Arben Spahiut, por dhe një banori tjetër të asaj qelie, shtetasit Xhafer Deliu. Ky i fundit njihet në Elbasan si lidhje e ngushtë e Erjon Alibej, i arrestuar për “Dhunë në familje” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” të heroinës.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar se pakoja me tre kumbulla dhe tre dardha, është përkthyer si një kërcënim nga Arben Spahiu dhe Xhafer Deliu. Të dy këta shtetas kanë nënkuptuar se frutat ishin një mesazh kërcënues për jetën e tyre.

Me këtë situatë është njohur dhe Policia e Burgjeve, e cila ka referuar rastin në Departamentin e Policisë Kriminale të Elbasanit, duke ndjekur hetimet në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e qytetit.

Pas gati shtatë muajsh verifikim, struktura e hetimit të krimeve në Policinë e Elbasanit zbuluan se njeriu që kishte zgjedhur këtë mënyrë për të futur brenda në burg një pako me mesazh kërcënues, me kumbulla dhe dardha, ishte pikërisht Ervis Daka, i njohur në Elbasan me nofkën “Dragoviçi”.

Arrestimi i Dakës, është kryer në muajin korrik 2023 dhe po këtë muaj gjyqtari ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

I gjithë operacioni është mbajtur në fshehtësi të plotë, pasi njëri nga personat e kërcënuar është Arben Spahiu. Ky i fundit tashmë i liruar nga burgu dhe ka hyrë në programin e mbrojtjes shtetërore, sepse kunati i tij, Erjon Alibej është bërë i penduar dhe po bashkëpunon me prokurorët e SPAK për të zbardhur krimet e rënda në Elbasan.

Tre vite më parë Ervis Daka u arrestua nga Forcat Special RENEA dhe informacionin se në shtëpinë e tij kishte armë e ka dhënë Erion Alibej. “Dragoviçi” ka qenë një nga personat e listës së ekzekutimeve të përpiluar nga Erjon Alibej, Arjan Spahiu dhe Nuredin Dumani. Ai njihet si krahu i vëllezërve “Çopja” në Dubai, Talo Çelës dhe Mikael Qoses alias “Keli i Kiçit”.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?