Vaj palme dhe niseshte në djath, kos e gjalp? Flet për Korrieri ekspertja që bën analizat e AKU-së në Shkup

Aktualitet

Gazeta Korrieri vijon publikimin e shkrimeve në lidhje me zbulimet “bombë” në tregun e prodhimit dhe përpunimit të qumështit në Shqipëri.

Nga investigimet tonat kemi zbuluar një sërë problematikash në fabrika, për të cilat AKU është mjaftuar vetëm me gjoba “mëshiruese”, ndërkohë që siç zbulon Gazeta Korrieri, pjesa dërrmuese e produkteve të bulmetit që AKU tha me bujë se kishin bllokuar gjatë verës, në fakt tashmë është hedhur në treg dhe konsumuar nga qytetarët.

Gazeta zbuloi se analizat e mostrave të produkteve të bllokuara nga AKU analizohen në universitetin e Shkupit dhe jo në BE siç pretendohej më parë.

Ne kontaktuam eksperten që bën këto analiza, e cila reagoi për gazetën pas publikimit të investigimit të dytë që fokusohet te kompania “Lufra”.

Zonja Zehra Hajrulai Musliu pranoi në një komunikim me Gazetën se ishte ajo që kryente analizat për të zbuluar vajin e palmës dhe niseshtenë në produktet e bllokuara nga AKU në stabilimentet e prodhimit dhe përpunimit të qumështit në Shqipëri.

Ajo shpjegon se fakulteti ku ajo punon e bën këtë pas një marrëveshjeje me AKU-në, ndërsa shton se laboratori i plotëson kushtet për të kryer analiza të tilla.

Në këtë mënyrë, konfirmohet se çfarë ka shkruar më herët Korrieri se AKU nuk i bën analizat në ndonjë vend të BE-së siç ishte pretenduar më herët, por në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që problemi thelbësor në gjithë këtë historinë e analizave është pikërisht marrja e mostrave në momentin e bllokimit të produktit.

Gazeta Korrieri do të vijojë me serinë III të investigimit me të dhëna të tjera tronditëse.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?