Identifikohet shoferi i “BMW” që përfundoi në pedonalen e liqenit
Policia Rrugore e Tiranës ka identifikuar drejtuesin e mjetit “BMW X6” që u përfshi në aksidentin në Liqenin Artificial të Tiranës.
Bëhet fjalë për një djalë të moshës së 26 vjeç nga qyteti bregdetar i Durrësit, i cili ka qenë me shpejtësi të lartë dhe dyshohet se ka qenë duke lëvizur nga “Rruga e Kosovarëve” dhe ka përfunduar në digën e liqenit.
Gjithashtu dyshohet se i riu mund të ketë qenë në efektin e alkoolit apo të substancave narkotike. Blutë e Tiranës po punojnë për kapjen e tij dhe shoqërimin për kryerjen e veprimeve hetimore.
“Më datë 22.08.2023, rreth orës 05:15, në Rrugën e Kosovarëve, dyshohet se automjeti tip “BMW” me drejtues shtetasin Eldi Allushi, 26 vjeç, banues në Durrës, ka dalë jashtë rruge dhe është ngjitur në skarpatin e digës së liqenit, më pas është përplasur me bordurën mbrojtëse anës liqenit.
Drejtuesi ka braktisur automjetin dhe është larguar nga vendi i aksidentit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, njoftoi policia.

