SPRINT NEWS ALBANIA

Poezi

“NJË COPË KOTHERE”-Poezi nga Angela Kosta

“NJË COPË KOTHERE”

Një copë kothere për t’u ushqyer
për të shuar urinë e kushedi prej sa orëve
shoqëruese e jetës
që ulërin ekzistencën e mjerë
e ndaluar tek pamja e përhumbur nëpër kohëra
të zhdukura nga fati mizor për të lindur.
Kush e ka fajin për të gjithë këtë?
Çfarë faji kam unë vetë?
Mos vallë nuk ishim të dëshiruar nga Zoti?
Mos vallë kishim ardhur në botën e gabuar?
Uri famëkeqe moskokëçarëse
që zhdukesh në bollëkun e mirazhit
që të gëzohemi në fukarallëk.
Sa do doja mes reve të isha
me ajrin e universit të tejngopesha.
Të ngrohesha në diellin kaq të largët
për të mos parë gjakun e mpiksur
për të mos ndjerë rrahjet e dobëta
të zemrës së vëllezërve të mi
të zbehtë, me buzë të çara
si toka nën këmbët e tyre.
Kothere buke mos u shkërmoq!
Ku është Krishti për të të shumuar?
Nuk kam ç’përgjigje vetes t’i jap
përveçse kësaj copë kothereje
që nuk e di nëse kam të drejtë ta kapërdij.



JETA

Pak copëza lumturie
braktisen nën pluhurin e zhgënjimeve
të vazhdueshme,
pa frymë vrapoj
nëpër re mes lotësh
dhe muzikës së shurdhër të një qielli të rremë
e puthur nga era e makthit
përzihem mes njerëzve të mbijetuar.
E etur nga shirat rrëmbyese
të një shkretëtire që zhduket
tej siparit të jetës fatkeqe.
Notoj në oqeanin e saj
mbytem
duke prekur me majat e gishtërinjve
perëndimin e ekzistencës sime.
Filloj të eci përsëri …
Vrapoj…
akoma vdes …
Por sërish rilind
duke përqafuar diellin e shpresës.

 

LULJA E DASHURISË

Në kopshtin e dashurisë
një lule të bukur vështrova.
I dashuruar, iu afrova t’i flisja ta përqafoja.
Sa keq!
Në kopshtin e dashurisë
një lule e freskët u vyshk
e bukura aroma ime pa mundur ta përqafoja.
Iku diku tej, u zhduk pa e ditur
sa e rëndësishme ishte për mua.


ELEGJI

Atë natë të bujshme, të ftohtë
në qiell nuk kishte yje, nuk kishte hënë.
Edhe pse ishte mars
nuk kishte lule, nuk ishte pranverë.
Në terrin e natës, tej në hapësirē
diku në breg të huaj
dëgjoheshin klithje, ulërimë.
Dallgët e detit egërsisht përplaseshin
mbi një anije të vjetër
e braktisur në mëshirën e fatit
si shumë fëmijë të mbetur
pa nëna, pa baballarë.
Të tmerruar u përpoqën të shpëtonin
as kohë nuk patën të luteshin
uji i ftohtë me vete papandehur i gëlltiti
i përpiu pa ua dëgjuar dëshpërimin.
Deti u tregua i pamëshirshëm
i fshehu diku në fund të mallkimit.
Natë e zezë kurrë nuk mund të harrohet
gjëmë në kujtesë jo vetëm të atyre
që mundën të shpëtonin
skenar tragedie, dhimbjesh e vuajtjesh
deri në përjetësi.
Mes lotësh dhe lutjesh në netët e pagjum
njerëzit kuptuan vërtetësinë
se fatkeq të vendit të tyre ishin.
Vendosën që detin më të mos e kalonin
por tokën mëmë të dashuronin
pa e braktisur kurrë më.
Vetë deti ua thoshte këtë
por anije të tjera tentuan
një nga një, radhazi ta sfidonin
ndaj zemërimi i tij kulmin arriti
shkaktar i tragjedive pafund.
Kaluan disa kohë
dhe deti dukej sikur ishte qetësuar
fatin, shpresën në dorë ua kishte lëshuar.
Njerëz të tjerë filloi të përqafonte
në brendësi, aty ku askush nuk mund
t’i ndihmonte, të gjorat jetë pafat.
Shumë filluan ta urrenin njerëzit
atë, tek i cili deri dje
shihnin veç pasurinë dhe mbretërinë
ndaj filluan ta mallkojnë ditë e natë.
Por deti nuk u lëkund aspak
para mallkimeve të tyre mëkatare
dallgët lëshonte në breg
Zot e ndjente veten, pa pasur fare frikë.
Kërcënimeve të tyre filloi t’u përgjigjej me butësi
sadopak t’i ndihmonte kërkoi
fajtor jeni ju… tokën kurrë mos e tradhëtoni.
Shikojeni sa vuan,
mos e braktisni në mëshirën e fatit.
Njerëzit krahët i kthyen njëherësh
përmallueshëm puthën tokën mëmë.
E vaditën me lotët e nxehtë
u përkulën ndër gjunjë
teksa merrnin bekimin
dhe u betuan se larg në dhe të huaj
kurrë nuk do të mund të treteshin.
Ndërmend u erdhën fjalët e Naimit dhe Çajupit
vargjet e shkruara për të shtrenjtin mëmëdhe.

 

 

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?