Dëshmia e punonjëses kundër Ahmetajt: Më bëri presion për të firmosur
Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se Arben Ahmetaj, në kohën kur ushtronte detyrën e ministrit, ka ushtruar presion mbi një punonjëse të administratës për të miratuar pozitivisht kontratën koncesionare të një landfilli në Durrës.
Në dosjen e SPAK nënvizohet se shtetësja Sidita Kopliku (Temali), anëtare në komisionin për zhvillimin e procedurës koncensionare të Tiranës, si përfaqësuese e Agjencisë së Trajtimit të Koncensioneve, ka deklaruar përballë prokurorëve se ka pasur presione nga titullarja e institucionit, Rovena Beqiraj, ku prej saj nxitej që procedura koncensionare për Tiranën të finalizohej me sukses.
Gjithashtu, Kopliku sqaron se, kur ka qenë pjesë e procedurës koncensionare në lidhje me Durrësin ku do të ndërtohej një landfill, si anëtare komisioni, një këshilltar i ministrit Arben Ahmetaj, e ka njoftuar që e kërkonte ministri Arben Ahmetaj në zyrë.
Kopliku ka deklaruar në Prokurorinë e Posaçme se Ahmetaj i ka kërkuar që, në lidhje me procedurën e Durrësit, Sidita ta shikonte dhe ta vlerësonte me pozitivitet, në drejtim të përfundimit me sukses të saj.
“Sidita këtë takim e ka vlerësuar si formë presioni pasi titullar të drejtëpërdrejtë ajo kishte kryetarin e Atrako-s. Pas kësaj situate, edhe në rastin e procedurës koncensionare të Tiranës, Sidita është ndjerë në presion për shkak të asaj që kishte ndodhur për Durrësin dhe pasur parasysh edhe nxitjen e kryetares Rovena Beqiraj që kjo procedurë koncensionare e Tiranës të realizohej me sukses”, thuhet në dosjen e SPAK.

