Aktualitet

Lirimi i tre policëve, Rama: Rihap rrugën e dialogut

KAON
“Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithsesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi  mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë”, tha Rama në Twitter.

E teksa përgatitet të takohet me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, Rama tregon në rrjetet sociale se do t’i shprehë atij shqetësimin e madh dhe bindjen e tij të plotë mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor të dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë për të përmbyllur krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit.

“Sapo kemi mbërritur në Bruksel, ku pas pak do të takohem me Presidentin e Këshillit Europian, mikun e çmuar të Shqipërisë dhe rajonit tonë, Charles Michel. Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit”, shkruan Rama.

E sa i takon palëve në proces, për kryeministrin, të dy i kanë sytë në politikën e brendshme nacionaliste. E teksa ata i kanë kthyer kurrizin dialogut, për kryeministrin Edi Rama situata në veri po degradon shumë shpejt duke rritur mundësinë e një “Donbasi” ballkanik. E kjo, sipas tij, është katastrofike vetëm po ta mendosh, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht. Rama thekson se miopia strategjike në qasjen e dialogut mund t’i kushtojë gjithë rajonit, por sidomos Kosovës.

“Fatkeqësisht, së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste. Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin. Ndërkohë situata në Veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një “Donbasi” ballkanik mu në zemër të Europës. Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht.  Miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të shkëlqyer franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në Veri,  mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni, Serbisë padiskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim i mosozotshëm mbrapa, me pasoja shumëvjeçare”, tha ai.

Prandaj, ai thekson se Shqipëria do të bëjë çmos që paqja e brishtë e ndërtuar në gjithë këto vite të mos “rrënohet si kështjellë rëre nga rikthimi i dallgës së marrëzisë ballkanike”, që sipas tij na rihedh të gjithëve “jashtë rrugës së integrimit europian”.

“Shqipëria do të bëjë çmos që kjo të mos ndodhë, sepse do të ishte një çmenduri që paqja e brishtë që kemi ndërtuar përgjatë këtyre viteve, në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe përmes nismash të ndryshme, të rrënohet si kështjellë rëre nga rikthimi i dallgës së marrëzisë ballkanike, duke na rihedhur të gjithëve jashtë rrugës së integrimit europian, në fuçinë e vjetër të barutit në mes të Europës”, u shpreh Rama./tvklan.al

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?