Romina Kuko zgjidhet kryetare e Këshillit Bashkiak
Nga sot Tirana ka një Këshill Bashkiak të ri. 61 këshilltarët e zgjedhur në 14 maj u betuan sot duke konstituar edhe “parlamentin” e ri të qytetit, ndërsa kryetare e tij u zgjodh, Romina Kuko. Ajo u propozua nga kryetari i këshilltarëve socialist, Eridian Salianji.
“Romina Kuko ka përfunduar studimet për Psikologji në Universitetin e Shefildit , ku është diplomuar me titullin Honors. Ajo ka një eksperiencë të spikatur 17-vjeccare, në sektorin e sigurisë ku veçojnë angazhimin e saj pranë Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtoria e NATO-s, 8 vjet në OSBE dhe që nga 2017 zv.
Ministre e Brendshme. Ajo ka shërbyer me profesionalizëm në Këshillin Bashkiak 2019-2023 dhe është aktiviste e kauzave sociale”, tha Salianji.
Mirëpo kryetari i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë, në Këshillin Bashkiak të Bashkisë së Tiranës, Endrit Braimllari doli kundër propozimit të Eridian Salianjit të PS, i cili më herët propozoi që këshilli të kishte 5 zëvendëskryetar këshilli nga ana e rilindjes.
“Ky propozim tregon qartë përpjekjen e kësaj force politike për t’a kthyer Këshillin Bashkiak në një qokë të radhës së Erion Veliajt. Koha e një këshilli bashkiak dhe një kryetari monist ka marrë fund. Institucioni më i rëndësishëm i Tiranës parlamenti vendor nuk mund të kthehet në një institucion qokë duke legjitimuar rolin e rëndësishëm që ka këshilli. Duhet zbatuar rregullorja jo forca e kartonit. Këshilli bashkiak është i qytetarëve jo i qokave personale të Erion”, tha Braimllari.
Një reagim në rrjetet sociale në lidhje me betimin e këshillit bashkiak, ka bërë edhe Tedi Blush, i cili shkruan “Mandati dhe merita është e juaja, përgjegjësia është e imja! Faleminderit nga zemra për çdo qytetar të Tiranës që më 14 Maj votoi për Ndryshimin, veçanërisht për këdo që ka sakrifikuar kaq shumë në opozitë dhe që ka vuajtur në këto vite nga dhuna, arbitrariteti, braktisja dhe vjedhja e taksave nga Bashkia e Tiranës!
Mirënjohje për besimin e dhënë nga Kryetari, forumet drejtuese dhe anëtarësia e Partisë së Lirisë, që pranuan kandidimin tim!
Nga sot nis një angazhim të ri shumë të rëndësishëm dhe me përgjegjësi, si anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës për t’u shërbyer qytetarëve me dinjitet deri sekondën e fundit të mandatit, gjithmonë në mbrojtje të interesit publik, demokracisë, llogaridhënies dhe transparencës!”.



