I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi nga Beogradi se nuk i ka dhënë afate Kosovës, siç është raportuar një ditë më parë, në lidhje me 3 kërkesat e tyre. Ai paralajmëroi se Asociacioni do të formohet me qeverinë aktuale të drejtuar nga Albin Kurti ose me ndonjë qeveri të ardhshme.
Një ditë më parë u raportua se Escobar i ka dhënë dy ditë kohë Kurtit që të tregojë nëse pajtohet me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, siç janë deeskalimi i situatës në terren, shpallja e zgjedhjeve të reja për katër komunat veriore dhe rikthimi në tryezën e dialogut, por kjo u mohua nga zyrtari amerikan.
Escobar deklaroi se nuk e di nëse ka pasur përgjigje nga Qeveria e Kosovës në lidhje me kërkesat e tyre, por u shpreh se diskutimet do të vijojnë me Bashkimin Evropian edhe pas këtyre vizitave.
Escobar deklaroi se t’i kthesh shpinën këtij propozimi është t’ia kthesh shpinën Evropës, Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuara dhe të gjithë miqve të tjerë, njëjtë tha se mund të cilësohet edhe nëse refuzohet dialogu mes dy vendeve.
Escobar deklaroi se sfida e Serbisë është që të bind serbët të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor deklaroi se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka premtuar se do të përdorë ndikimin e tij për të bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.
Duke u ndalur tek themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Escobar u shpreh se kjo do të ndodhë, vetëm mbetet për t’u parë nëse me qeverinë e Albin Kurtit apo të dikujt tjetër.
Escobar u shpreh se shumë gjëra mund të arrihen këtë vit nëse Kosova dhe Serbia fokusohen të zbatimi i marrëveshjes së 27 shkurtit dhe aneksit të dakorduar në Ohër më 18 mars.
Situata në tri komunat veriore të Republikës së Kosovës u tensionuar më 26 maj kur kryetarët e zgjedhur më 23 prill u penguan të hyjnë në ndërtesat e Kuvendeve Komunale dhe hynë vetëm me asisitimin e Policisë së Kosovës. Serbët kundërshtojnë kryetarët e zgjddhur, madje këtë e bëne dhe në mënyrë të dhunshme më 29 maj kur plagosën 30 ushtarë të KFOR-it.
/KosovaPress/