Aktualitet

Durrës/ Arrestohet 40-vjeçari, me automatik në krah kërkonte bashkëshorten që kishte ikur nga shtëpia

Një 40-vjeçar është arrestuar paraditen e sotme në Durrës, pasi është kapur me armë zjarrit dhe municion luftarak.
Sipas policisë 40-vjeçari ishte në kërkim të bashkëshortes së tij, e cila ishte larguar nga shtëpia bashkë me fëmijët, për shkak të dhunës. Sakaq mësohet se bashkëshortja kishte denoncuar rastin dhe kishte marrë një urdhër mbrojtje.

Në pranga ka rënë Lulëzim Haxhiu, 40 vjeç, banues në fshatin Shkallnur, Durrës.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me të cilin qarkullonte ky shtetas, gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri tip automatik PMSH me karikator me municion luftarak.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ishte larguar prej disa ditësh nga banesa, sepse bashkëshortja e tij është e pajisur me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Durrësit, që prej datës 04.05.2023, për shkak të dhunës së ushtruar nga ky shtetas.

Dyshohet se 40-vjeçari po kërkonte bashkëshorten për ta vrarë, e cila ishte larguar nga banesa, së bashku me fëmijët. Ndërhyrja në kohë e Policisë për kapjen e tij parandaloi ngjarjen e rëndë kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?