Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” në Bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi, ka reaguar ashpër ndaj rezultatit të zgjedhjeve, teksa ka akuzuar kundërshtarin e tij se ka blerë votat.
Ai deklaroi se votat janë manipuluar nga deputeti socialist, Bardhyl Kollçaku por nuk ngurroi të akuzonte edhe Policinë e Shtetit, duke e bërë bashkëfajtore në këtë rezultat.
Maliqi shtoi se ai ka vënë në dijeni për të gjitha këto shkelje edhe OSBE/ODIHR-in, ndërsa tha se do t’i shkojë deri në fund kësaj, duke mos u dorëzuar deri në daljen e rezultatit real.
“Unë kam fituar moralisht. Blenë vota me lekë, oligarkët. Çuçi, oligarku Salillari sollën lekë me thasë. Banda, kriminelë çfarë nuk bënë.
Kam fituar moralisht, Zoti është i madh. I blenë votat të gjithë me radhë, oligarkët, në orën 12:00 fiknin dritat. Unë banorëve të Kuçovës u jam mirënjohës, sepse hera e parë që thyej këtë bastion të majtë.
Kam besim që nuk largohem nga beteja derisa të largoj të korruptuarit dhe të këpus falangat e krimit”, tha ai.