Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar Enkelejd Alibeajn dhe Lulzim Bashën, pasi thotë se janë “pengje të shpifura të Edi Ramës”. Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha ka ngritur dyshime, duke u thënë gazetarëve të dëgjonin me vëmendje deklaratën e tij.
“Çdo demokrat e ka të qartë se çdo votë për Alibashën dhe Alibravën, është votë për Edi Ramën. Nuk besoj të ketë njerëz që të bashkohen me dy pengje të neveritshme, të shpifura, që për interesa dhe krime që kanë kryer, janë marrë peng nga Edi Rama dhe përdoren si lecka prej tij”, tha ai.
Më tej, Sali Berisha u shrpeh se Enkelejd Alibeaj nuk mund të jetë kurrë kryetar i PD sepse nuk është votuar dhe nuk është emëruar nga strukturat e kësaj force politike.
“Të pretendosh që Alibeaj, që nuk është votuar kurrë, nuk është emëruar kurrë, nuk është votuar në asnjë forum të partisë, që nuk guxon të votohet se nuk merr asnjë votë, që është shndërruar në peng të Ramës, është krytar i PD, këtë e bën vetëm Edi Rama. Kjo do të thotë të kthehesh te opozita e emëruar.
Nuk ka asnjë vendim gjykate, që Alibeaj është kryetar partie. Ka një vendim gjykate, që Sali Berisha është kryetar partie. Por këtu nuk kanë rëndësi ligjet. Këtu ka rëndësi tmerri shpirtëror që ka Edi Rama dhe mendon se përmes Alibashës dhe Alibravës mund të shpëtojë nga 14 maji”, u shpreh Sali Berisha.