Lufta e heshtur në PS për Vlorën. Si po tenton t’i imponohet Edi Ramës klani i Fierit me Gramoz Ruçin, Taulant Ballën dhe Blendi Klosin
Në PS ka një përplasje të heshtur mes Damian Gjiknurit dhe Taulant Ballës për të imponuar tek Edi Rama kandidatin për Bashkinë e Vlorës. Bëhet fjalë për ambasadorin e Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ermal Dredha, i testuar edhe nga vetë Rama pak ditë më parë gjatë vizitës në Dubai. Fakti që, edhe pas vizitës në Dubai, kryeministri nuk ka marrë një vendim, nuk është një lajm i mirë për mbështetësit e Dredhës, por loja për pushtet vazhdon në nivele shumë të larta në PS. Në fakt, fijet po i tërheq një emër me rëndësi dikur në PS, Gramoz Ruçi, i cili ka interesa direkte familjare tek emri i Ermal Dredhës. Ruçi e di shumë mirë që Ermal Dredha ka mbi 25 vjet që nuk ka asnjë lidhje me Vlorën, por ai po tenton të bindë Ramën përmes të tretëve, pasi Ermal Dredha është vëllai i dhëndrit të Gramoz Ruçit. Për këtë, ai po përdor Taulant Ballën, i cii është i gatshëm në çdo kohë t’i tregojë Damian Gjiknurit se kush prej të dyve është më i fortë tek Edi Rama.
Nje tjetër emër që po bën lojën e Ruçit është Blendi Klosi, drejtuesi aktual politik i Vlorës, i cili ia dedikon karrierën politike në PS Gramoz Ruçit, kur u zgjodh në Fier deputet për herë të parë. Burime brenda PS bëjnë të ditur se Sekretari i Përgjithshëm i PS, Gjiknuri ka refuzuar të bashkohet me tezën e përhapur nga Taulant Balla se “Rama e do kandidatin e Vlorës nga jashtë Vlorës”, një teza kjo që synon të frenojë çdo socialist vlonjat të kërkojë mbështetje për kandidim. Se kush do të jetë kandidat i PS në Vlorë, do të merret vesh së shpejti, por e sigurtë është që klani i Fierit në PS, i drejtuar nga Gramoz Ruçi përmes Taulant Ballës dhe Blendi Klosit, po bën gjithçka të kontrollojë edhe Vlorën./ SPRINT.AL/